Mbi 100 deputetë të Kuvendit do ta votojnë Ligjin për Ushtrinë
Deputeti i Kuvendit të Kosovës njëherësh edhe kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Haxhi Shala ka thënë që në Kuvendin e Kosovës janë mbi 100 deputetë që do të votojnë për transformimin e FSK-së në ushtri.
Zëri: Zotëri Shala, të mërkurën në Komisionin për Mbikëqyrjen e FSK-së u votuan tri projektligje, të cilat pritet të hapin rrugën e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës. A vlerësoni që Kosova është afër krijimit të ushtrisë?
Shala: Dua t’i falënderoj të gjitha grupet parlamentare, të cilat janë në Kuvendin e Kosovës, që i dhanë një mbështetje kësaj pakoje ligjesh të ardhur nga Qeveria e Kosovës për krijimin e ushtrisë së Kosovës. Mund të themi që vendi është vonuar me krijimin e ushtrisë, sepse pa një ushtri nuk mund të themi se është e kompletuar arkitektura e sigurisë në vend. Tash me kalimin e projektligjeve në Kuvendin e Kosovës do të plotësohet edhe kjo zbrazëtirë që ka qenë në sigurinë e Kosovës dhe do ta kemi Forcën e Sigurisë së Kosovës me mision dhe me kompetenca shtesë.
Kur do të votohet ushtria e Kosovës në Parlament?
Shala: Komisioni për Punë të Brendshme, për Siguri dhe për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilin e udhëheq unë, e ka kryer misionin e vet të mërkurën, ku në lexim të parë e kanë dhënë votën e vet prej të gjitha grupeve parlamentare dhe tani këtë pako ligjesh e kemi dërguar në Kryesi të Kuvendit të Kosovës, ndërsa tani i mbetet vetëm Kryesisë që ta thërrasë seancën dhe t’i procedojë ato.
Brenda 60 ditëve këto ligje duhet të kryhen, sepse ashtu e kërkon Rregullorja, por besoj që shumë shpejt do t’i kemi në seancë në lexim të parë, pastaj kthehen përsëri në Komision për t’i rishikuar mangësitë nëse ka në ligj. Do të merret opinioni i shoqërisë civile dhe i gjithë pjesëmarrësve në Kosovë dhe procedohen për lexim të dytë.
Në momentin që Ligji për Ushtrinë kalon edhe në leximin e dytë në Kuvendin e Kosovës, atëherë brenda 8 ditëve hyn në fuqi ajo. Mund të themi që në muajin nëntor të këtij viti do ta kemi të kompletuar pjesën legjislative për ushtri.
Qëndrimi i Listës Serbe karshi formimit të ushtrisë së Kosovës është i qartë, pra e kundërshtojnë themelimin e saj. A do të mundë ky partneri juaj i koalicionit ta pengojë ushtrinë e Kosovës?
Shala: Jo, me plotësim-ndryshimin e ligjeve Lista Serbe nuk mund ta zvarrisë formimin e ushtrisë së Kosovës, sepse mundet që me shumicë të thjeshtë të votohet ky proces. Janë mbi 100 vota pro ushtrisë në Kuvendin e Kosovës nga të gjitha partitë politike që e mbështesin krijimin e ushtrisë së Kosovës dhe Lista Serbe nuk mund ta pengojë kalimin e këtyre ligjeve.