75 Mall Live Search
12:20 / E Mërkurë, 02 Maj 2018 / indeksADMonline

Mbi 15 mijë lëndë presin zgjidhje në Gjykatën Themelore të Prishtinës

Mbi 15 mijë lëndë vetëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës janë ende të pazgjidhura, prej tyre shumica lëndë civile.

Kështu u tha në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave gjatë shqyrtimit të raporti të auditimit për efikasitetin e menaxhimit të lëndëve civile në Gjykatat Themelore për vitin 2017.

Kryetari i komisionit, Driton Selmanaj, tha se numri i madh i lëndëve të pazgjidhura dhe të gjeturave tjera, tregojnë se në spektrin menaxherial s’ka funksionuar. Derisa ka shtuar se pagat dhe kushtet fizike tashmë janë mjaft të mira për gjyqtarët.

Anëtari i Komisionit, Avdullah Hoti, ka thënë se të gjeturat më të mëdha në Gjyjatat Themelore, në Prishtinë, në Pejë dhe bë Gjilan, problem është kategorizimi i lëndëve, përgatitja e zyrtarëve për mbështetësit e gjyqtarëve.

“Sa i për ketë lëndëve të pazgjidhura, është problematike, mbi 15 mijë lëndë janë të pazgjidhura dhe kjo dukuri po rritet në vazhdimësi, ndërsa në Pejë janë më pak lëndë të pazgjidhura, diku mbi 1000 lëndë të pazgjidhura”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se në të tri gjykatat kjo dukuri është në rritje. Kryetari i Këshillit Gjyqësor Nehat Idrizi, ka pranuar se sfida më e madhe është numri i madh i lëndëve të pazgjidhura, por që theksoi se reforma e shpeshta në sistemin e drejtësisë po e dëmton procesin gjyqësor.

Ai pranoi se numri më i madh i lëndëve të pa zgjidhura është në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndërsa në komuna tjera gjendja është më stabile.

Shqipe Pantina, anëtare e Komisionit, deklaroi se në një shtet ku nuk funksionon sistemi gjyqësor, e ka të pamundur të mendoj një qytetar të ardhmen e tij. Andaj sipas saj, sistemi i drejtësisë tregon gjendjen e aktuale në Kosovë në të gjitha fushat, ndër to edhe në ekonomi.