20:15 / E Mërkurë, 26 Janar 2022 / SH F

Mbi 46 mijë persona u pajisen me patentë-shoferë gjatë vitit të kaluar

Dy vitet e fundit sollën ndryshime të shumta sa i përket zhvillimit të jetës në suaza të normale në gjithë botën.

Përhapja e virusit COVID-19 përpos që ndikoi në shëndetësi, pati ndikime edhe në rrjedhën e punës në kuadër të testimeve për pajisje me patentë-shoferë.

Por me të stabilizuar situata me koronavirus edhe shumë të rinj dhe të reja arritën që të përfundonin testimet, në mënyrë që të pajiseshin me patentë.

Por së fundi nga Ministria e Infrastrukturës është njoftuar për funksionalizimin e një mënyrë të re të testimit të kandidatëve.

Tashmë sistemi elektronik i testimit të kandidatëve njohur si “E-Testimi” është funksionalizuar.

Nga Ministria e Infrastrukturës Departamenti i Patentë Shoferëve kanë bërë të ditur për lajmi.net se ky sistem elektronik veçse është funksionalizuar në të gjithë njësitë regjionale.
“Sistemi elektronik i testimit të kandidatëve ”E-Testimi” tashmë është funksionalizuar në të gjitha njësitë regjionale”.

E realizimi i këtij testimi parashihet t’iu mundësojë kandidatëve të cilët i nënshtrohen provimit në testimin teorik që në mënyrë elektronike (pra përmes kompjuterit), ku pyetjet i përzgjedhin nga vetë aplikacioni, por edhe kontrollimi dhe rezultati del në mënyrë automatike.

Kjo ua mundëson aplikuesve që të mos kenë nevojën e kontrollit nga pyetësi në mënyrë fizike.

“Realizimi i “E-Testimit” do t’iu mundësojë kandidatëve të cilët i nënshtrohen provimit në testimin teorik që në mënyrë elektronike (nëpërmes kompjuterit), ku pyetjet përzgjedhin nga vetë aplikacioni, por edhe kontrollimi dhe rezultati del në mënyrë automatike, pa pasur nevojën e kontrollimit nga pyetësi në formë fizike, por vetëm në mbarëvajtjen e provimit”, thuhet në përgjigjen e MI-së.

Por në lidhje me këtë aplikacioni padyshim se mbi të gjitha duhet pasur mjaftueshëm siguri sa i përket mënyrës së testimit.

E sipas Ministrisë së Infrastrukturës siguria e aplikacionit është ndërtuar në atë formë që çdo hyrje e kandidatit në test nënkupton përzgjedhje të pyetjeve.

“Edhe siguria e aplikacionit është e ndërtuar në atë formë që çdo hyrje e kandidatit në test nënkupton përzgjedhje të pyetjeve tjera nga vet aplikacioni”.

E përgjatë vitit që lamë pas në Kosovë janë afro 46 mijë e 492 qytetarë të cilët kanë arritur të pajisen me patentë-shoferë.

“Numri i qytetarëve të cilët janë pajisur me patentë-shoferë brenda vitit të kaluar është afërsisht 46492 kandidatë”.

Duhet përkujtuar që pjesëmarrësit në trafik shpesh herë kanë qenë përballë rreziqeve të ndryshme.

E lidhur me rrezikshmërinë që u shfaqet atyre dhe gjithë pjesëmarrësve në trafik, Policia e Kosovës ka vazhduar të bëjë thirrje për respektim të rregullave.

Edhe pse disa prej tyre vazhdojnë të drejtojnë makinat duke i respektuar ata, ka të tjerë të cilët pa asnjë mëdyshje vazhdojnë të thyejnë rregullat shpesh herë madje duke përfunduar me aksidente të rënda, disa edhe me fatalitet.