15:07 / E Enjte, 29 Nëntor 2018

Mbi katër mijë vjedhje këtë vit, shqetësuese grabitjet e armatosura

Rastet e vjedhjeve në Kosovë janë bërë shqetësuese për qytetarët. Vetëm këtë vit, Policia ka regjistruar mbi katër mijë raste të vjedhjeve. Të dhënat e policisë flasin për numër afërsisht të njëjtë edhe gjatë vitit të kaluar të kësaj vepre penale.

“Për vetëm 10 muaj në Kosovë janë evidentuar 4 mijë e 92 raste të veprës penale vjedhje. I ngjashëm ishte numri edhe në vitin e kaluar, saktësisht në periudhën 12 mujore të vitit 2017. Gjatë gjithë vitit të kaluar në vend janë evidentuar 5 mijë e 735 raste të veprës penale vjedhje”, thuhet në përgjigjen e policisë për Indeksonline.

Sipas policisë, Rajoni i Prishtinës prinë për numrin e vjedhjeve në krahasim me gjashtë rajonet tjera të vendit.

“Gjatë kësaj periudhe në regjionin e Prishtinës kanë ndodhur 59 raste të grabitjeve të armatosura”, thuhet tutje nga Policia e Kosovës.

Në vazhdën e hetimeve lidhur me këto raste, Policia e Kosovës ka goditur 13 grupe kriminale që dyshohet se janë përfshirë në këto raste.

Vetëm për grabitje është arritur të arrestohen 32 persona të dyshuar të cilët gjenden në paraburgim, nga 59 raste grabitje që kanë ndodhur.

Sipas policisë, prej atyre që gjenden në paraburgim ka persona që dyshohet se kanë kryer më shumë se dy grabitje, kurse gjashtë të dyshuar të tjerë u identifikuan nga policia dhe vazhdojnë të jenë në arrati.

“Në të gjitha regjionet tjera kanë ndodhur shumë më pak grabitje të armatosura, konkretisht në banka janë evidentuar gjashtë raste. Në këto gjashtë raste shtatë persona janë të dyshuar dhe prej tyre janë arrestuar tre”, është thënë për Indeksonline nga Policia e Kosovës.

Tutje është bërë e ditur se policia është duke trajtuar të gjitha rastet në koordinim me organet e drejtësisë dhe personat e dyshuar e të arrestuar, trajtohen me aktvendime të këtyre organeve.

“Policia e Kosovës përmes angazhimit me patrullime dhe krijim të task-forcave të veçanta ndërmerr masat për parandalim dhe arrestim të personave të dyshuar”, thuhet tutje nga PK.

Së fundi ngjarja që bëri bujë e që lidhet pikërisht me një grabitje të armatosur, është ajo në Veternik të Prishtinës. Pronari i shtëpisë u ballafaqua me persona të armatosur në shtëpinë e tij, të cilët synonin të kryenin grabitjen. Si pasojë e këtij ballafaqimi, si vetëmbrojtje pronari i shtëpisë shtiu me armë duke i marrë jetën njërit prej të dyshuarve në këtë rast./Indeksonline/