08:24 / E Hënë, 06 Qershor 2022 / MSH

Mbretëria e Bashkuar planifikon të furnizojë me armë Ukrainën

Mbretëria e Bashkuar po dërgon raketat e saj të para me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, ka thënë sekretari i mbrojtjes, pavarësisht një kërcënimi nga Rusia për Perëndimin.

Ben Wallace, Sekretar i Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, tha se sistemi i raketave me shumë lëshime M270 do të ndihmojë Ukrainën të mbrohet kundër Rusisë.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk ka konfirmuar se sa armë do të dërgohen, por BBC raporton se fillimisht do të jenë vetëm tri.

Vendimi për të dërguar armë u bë në koordinim me ShBA-në, e cila njoftoi javën e kaluar se po furnizonte gjithashtu Ukrainën me një sistem raketash.

Vladimir Putin tashmë ka pralajmëruar se do të zgjerojë listën e objektivave të sulmeve ruse në Ukrainë, nëse vendet perëndimore dërgojnë armë me rreze të gjatë në Kiev.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha se ushtria ukrainase do të trajnohet për mënyrën e përdorimit të lëshuesve në Mbretërinë e Bashkuar në javët e ardhshme.