12:50 / E Enjte, 11 Mars 2021 / Blerim

Më në fund klubit të 100 miliardë dollarëve i bashkohet edhe Warren Buffet

Warren Buffetti më në fund i është bashkuar klubit ekskluziv të mbi 100 miliardë dollarëve, që përfshin edhe Elon Muskun, Jeff Bezosin dhe Bill Gatesin.

90-vjeçari është president i kompanisë së investimeve Berkshire Hathaway, që ka parë që aksionet e saj të rriten në nivele rekord këtë vit. Të mërkurën, pasuria e tij neto arriti në mbi 100 miliardë dollarë për të parën herë.

I konsideruar si një nga investitorët më të suksesshëm në botë, Buffeti ka dhënë miliarda dollarë nga pasuria e tij, për bamirësi.

Ndërsa Buffeti ka qenë një emër fiks në majat e klasifikimit të më të pasurve të botës, për dekada të tëra, pasuria e tij personale nuk kishte arritur asnjëherë 100 miliardë dollarët, deri tani. Një arsye për këtë janë donacionet e konsiderueshme, ai ka dhënë më shumë se 27 miliardë dollarë për bamirësi që nga 2006-a.

Buffeti është bashkëthemelues i Giving Pledge, një fushatë për të inkurajuar filantropinë e miliarderëve. Mackenzie Scotti, ish-bashkëshortja e themeluesit të Amazonit, Jeff Bezos, po ashtu i është bashkuar fushatës dhe ka dhënë më shumë se 4 miliardë dollarë të pasurisë së saj në vetëm katër muaj, vitin e kaluar. Pjesëtari i pestë i klubit ekskluziv të personave, pasuria e të cilëve shkon në mbi 100 miliardë dollarë, është Bernard Arnault i LVMH-së dhe familja e tij. Themeluesi i Facebookut, Mark Zukenberg nuk është aktualisht pjesë e renditjes ekskluzive sipas listës së miliarderëve në kohë reale të “Forbesit”.