19:08 / E Shtunë, 13 Gusht 2022 / OSH

Me të rinjtë nga mërgata, Kurti: Qeveria synon të rrisë angazhimin e profesionistëve të mërgatës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim një grup studentësh dhe të rinjsh nga mërgata, anëtarë të Albanian Youth Organization Mannheim/Heidelberg (AYO), me të cilët ka biseduar dhe ka shkëmbyer ide për mundësitë se si mund të kontribuojnë në Kosovë.

Në takim u diskutua për shërbimet që i ofrojnë mërgatës institucionet e Kosovës dhe për projektet e mundshme në të ardhmen nëpërmjet të cilave do të mund të ndërtoheshin ura bashkëpunimi midis rinisë në Kosovë dhe asaj në mërgatë.

Sipas njoftimit nga Kryeministria, Kurti theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson mërgatën si faktor për zhvillimin e vendit dhe synon të rrisë angazhimin e profesionistëve të mërgatës në përpilimin e politikave zhvillimore dhe strategjike, në zbatimin e politikave, si dhe për investime të përbashkëta me ndërmarrjet vendore.

Ai përmendi nismat e qeverisë për një program nacional për transferim të dijes dhe përvojës nga mërgata në Kosovë, dhe thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës në fushat e arsimit dhe inovacionit.

Kryeministri tha se ne po e ndryshojmë qeverisjen për të mirë, por mund të duhet pak më shumë kohë që ‘brain-drain’ të fillojë të ndryshojë kursin për mirë dhe përfundimisht të bëhet një kthesë e fortë e ‘brain-gain’.

“Të kesh njerëzit dhe profesionistët e duhur në vendet e duhura është thelbësore. Prandaj ne jemi shumë të interesuar si qeveri për të tërhequr profesionistë të talentuar, brenda apo jashtë vendit”, theksoi ai.

Të rinjtë nga mërgata e njoftuan kryeministrin për aktivitetet e shoqatës.

Ata thanë se AYO është organizatë gjithpërfshirëse që nuk rrjetëzon vetëm individët, por edhe organizatat studentore. Shoqata bashkëpunon dhe mban kontakte me përfaqësues nga organizatat studentore të Stuttgartit, Duisburg-Essenit, Düsseldorfit, Zvicrës dhe Londrës.