19:13 / E Martë, 08 Maj 2018 / indeksADMonline

Media zvicerane shkruan për trafikimin e organeve në Kosovë dhe pezullimin e hetimeve

Para një vjet e gjysmë një Gjykatë kosovare dënoi me burg tre mjekë për shkak të akuzave për trafikimin e organeve njerëzore. Një Gjykatës amerikan, i cili shqiptoi dënimet, frikësohet se vendimi do mbetet ndër tavolinë, shkruan gazetari Andreas Ernst për prestigjiozen zvicerane “NZZ”.

Bashkëpunimi mes drejtësisë kosovare dhe ndërkombëtare është një histori dështimi. Prej dy dekadash përpiqen ndërkombëtarët që të krijojnë një drejtësi të fuqishme, por rezultatet janë minimale.

Argument për këtë, media zvicerane merr një gjykatës amerikan që ka punuar për Eulex nga 2011 deri 2013. Bëhet fjalë për Dean B. Pineles i cili dënoi pronarin e klinikës private Medicus, Lutfi Dervishi, djalin e tij dhe një anesteolog me tetë dhe pesë vjet burg respektivisht, për fajësinë e trafikimit të organeve.

Gjithçka nis në 2008, ku të dyshuar kanë qenë edhe dy turq, Ylmaz Altin (23), që duhej të shiste njërën veshkë dhe u rrëzua në aeroportin e Prishtinës, ndërsa shefi i operacioneve, doktori turk Yusuf Sonmez është zhdukur ndërkohë. Forcat e shpëtimit të aeroportit mësuan më vonë se izraeliti 74 vjeçar Bezalel Shafan, kishte marrë veshkën e Altinit për 90 mijë franga, ndërsa viktimës i kishte paguar vetëm 15 mijë franga. Eulex-i filloi hetimet dhe zbuloi se bëhet fjalë për “model biznesi”.

“Me një ndërmjetës turk, mjekun Yusuf Sonmez, janë blerë organe nga nevojtarët në Turqi, Rusi, Bellorusi, Moldavi dhe Kazakistan. Organet më pas janë shitur nga Medicus dhe biznesmeni i pasur hebre Moshe Harel për pacientët e Kanadasë, SHBA-së, Izraelit, Gjermanisë dhe Polonisë,” përcjell albinfo.ch.

Rreth 30 operacione janë zhvilluar nga 2008.

Arrestohen tre kosovarët, të tjerët të pakapshëm

Sekserët e trafikimit të organeve kanë qenë të pamundur për t’u kapur, andaj hetimet janë kryer mbi tre kosovarët. Procesi ka pasur 70 dëshmitarë, brenda dhe jashtë Kosovës. Pas 19 muaj hetime, Trupi Gjykyes i përbërë nga dy të huaj dhe një kosovar njëzëri dënoi të pandehurit.

Për arsye të paqarta, ecuria penale ka kaluar nga Eulex te drejtësia vendore. Por sipas juristit zviceran Dick Marty, ka figura të larta shtetërore të Kosovës të cilët janë të përfshirë në trafikimin e organeve të serbëve. Mes tyre është edhe presidenti Hashim Thaçi, i cili ka pasur rol qëndror. Ky biznes, sipas raportit të Martyt, më pas është vijuar nga klinika Medicus.

Pas shumë shtyerjeve gjyqësore ndaj këtyre akuzave, Pinteles flet për një “gjykatë fantazmë” dhe thekson se me këto procedura të tejzgjatura mundësohet zbehja e vërtetimit të krimeve.

Media zvicerane në fund tregon edhe historinë e qeverisë së Kosovës për të zhbërë Gjykatën Speciale dhe dorëheqjen kundër vullnetit të tij të David Schwendiman, ish prokuror i Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale.

“Tani detyrën e mer amerikani Jack Smith i cili nga 2008 deri 2010 ka punuar për Gjykatën Ndërkombëtare ICC, që është marrë me krimet e luftrave. Çështja që shtrohet për pyetje është, edhe sa do zgjasë deri sa Smith të njihet me akuzat dhe të hedh paditë penale.”