17:25 / E Enjte, 07 Maj 2020 / indeksADMonline

Mësimi në distancë

Nga: Sihana Koçinaj

Mësimi në distancë ka zgjuar kurreshtjen time qysh në fëmijëri të hershme. Si shprehje e kam dëgjuar në familje. Në familje, nga vëllai dhe prindërit kam marrë edhe shpjegimet e para për këtë metodë bashkëkohore mësimi. Madje, kam ëndërruar që ndonjë interesim timin në të ardhmen ta realizoj me mësim në distancë.

Asnjëherë nuk kam menduar që kaq paprtimas një virus që trondit planetin, të më imponojë kaq vrullshëm këtë mënyrë të mësimnxënies. Për fat të mirë jam shumë e përgatitur të ballafaqohem me këtë sfidë. Asnjë ditë nuk kam ndjerë as shqetësimin më të vogël as nga virusi e as nga mësimi në distancë. Përkundrazi, që në ditët e para të mësimit jam përqëndruar në përparësitë e mësimit të këtillë: Përdorimi i teknologjisë, ambienti i ngrohtë familjar, puna me shokët dhe shoqet me lidhje grupi, paraqitja e shembujve, projekteve përmes TV-së, qasja e re në mësimnxënie si nxitje e re për nxënësit etj.

Si përparësi kryesore të cilën e kam nga ky mësim është shfrytëzimi shumë i mire i kohës. Kam bindjen se çdo ditë përfitoj nga një deri dy orë kohë të lira, sepse nga mësimi në shkollë, çdo ditë humbas kohë në vajtje-ardhje nga shtëpia në shkollë dhe nga shkolla në shtëpi. Këtu llogaris kohën për përgatitje dhe rrugë në dy drejtime. Me mësimin në distancë këtë kohë sikur e kursej maksimalisht.

Një përparësi tjetër që e përjetoj këto ditë është mënyra e re e punës. Gjithnjë, më duket sikur me këtë metodë mësimi përgatitemi më shumë për sfidat që na presin në të ardhmen me metodat e mësimdhënies bashkëkohore. Mirëpo, këtu nuk bën të harrohet edhe fakti se kjo mënyrë mësimi na përgatit të ballafaqohemi edhe me vështirësi ose rreziqe tjera të ngjashme me Koronën që mund të na paraqiten në të ardhmen.
Gjithashtu, si përparësi e shoh edhe faktin se pas çfarëdo ngecjeje në mësime, mësimin që më nevojitet mund ta gjej në arkivin e RTK-së.

Kështu, orientohem sakt dhe mbaj hapin për punë dhe kërkime shkencore.
Përparësi me vlerë për vete e shoh edhe faktin se kjo metodë mësimi më lë shumë të pavarur, pavarësi e cila më duhet jo rrallëherë. Mirëpo, unë këtë pavarësi e investoj në mësime dhe aktivitete jashtëmësimore. Këtë mund ta ilustroj me faktin se përveç programit mësimor që kam përcjellur dhe të gjitha detyrave që kisha, kam investuar edhe në pasionin tim-në pikturë dhe letërsi.

Gjatë kësaj kohe kam realizuar përfundimin e dy portreteve të dy personaliteteve anglezë, miq të mëdhenj të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Gjithashtu kam shkruar disa vjersha në mesin e të cilave po e veçoj vjershën “KORONA E PADËSHIRUAR”, të cilën po përshkruaj edhe në këtë ese .

KORONA E PADËSHIRUAR
Koronë moj koronë, në planetin tonë
Hidhesh e përdridhesh si nuse me kurorë,
Virus i paftuar ti ke qenë gjithmonë,
Ama, sot shëndetin mos ma prek me dorë.

Shqiptarët të quajnë “virus me kurorë”
Ashtu të thërrasin dhe në gjuhë të tjera
Në vallen e vdekjes shkund shaminë me dorë,
Por kujdes moj zonjë se po na vjen vera.

Një puthje shkatërruese do të ta jap dielli
E sipas kanunit ne do t’marrim hak,
Me sapun do t’lahet toka edhe qielli
Bibla dhe kurani kërkojnë gjak për gjak.

Tezja shkencë për ty po bën një vaksinë,
Punon ditë e natë dhe xhaxhi shkencëtari,
Ti që për njerëzimin solle pandeminë,
E padëshiruar je këndejpari.

Në fund fare , po theksoj se përfitimi kryesor nga mësimi në distancë që po zhvilloj tani është ruajtja e shëndetit tim, familjes time dhe shëndetit kolektiv.
Prandaj:
# rri n’shpi , ruaje shëndetin !
# zhvillo mësimin në distancë !