14:34 / E Mërkurë, 25 Gusht 2021 / B O

Mësohet identiteti i personit që tentoi të arratisej nga Pallati i Drejtësisë

Indeksonline ka publikuar gjatë ditës së sotme pamje ekskluzive nga Pallati i Drejtësisë ku një person tenton të arratiset, por që kapet shpejt nga Policia e Kosovës.

Indeksonline mëson se personi që ka tentuar arratisjen është Ujup Neziri.

I njëjti ka qenë i kërkuar me dyshimet për dhunë në familje. Lajmi për Indeksonline e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Drejtoria Rajonale e Policisë Prishtinë, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore për të siguruar rendin dhe qetësinë publike në rajonin e Prishtinës, dhe kjo duke punuar me vendosmëri dhe përkushtim për kapjen e personave që dyshohen të jenë të implikuar në veprimtari kriminale, dokumentimin ligjor të veprimeve të tyre kriminale si dhe vënien e tyre para drejtësisë.

Si rrjedhojë e këtyre angazhimeve, sot nga hetuesit policor të stacionit të Podujevës, në afërsi të Pallatit të Drejtësisë, përkundër tentativave për ikje, është arrestuar një person i dyshuar.

Personi i dyshuar:

  • U. N, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, ka qenë në kërkim nga ana e policisë, për një rast të dhunës në familje që ka ndodhur me datën 21.08.2021, në fshatin Bervenik të Podujevës.

I njëjti me rekomandim të prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes, për veprën dhunë në familje” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës./Indeksonline/