Mësoni se a e humbin mandatin e deputetit, Kurti, Kadaj-Bujupi,Haxhiu dhe Topalli
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar sot deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra shqiptoi dënimin për deputetët Albin Kurtin, Albulena Haxhiun, Donika Kadaj Bujupin dhe Faton Topallin.
“Gjykata i gjykon 1 vit e 6 muaj Albin Kurtin, Albulena Haxhiu 1 vit e 3 muaj, Donika Kadaj Bujupi 1 vit e 6 muaj, Faton Topalli 1 vit e 2 muaj”, tha ai.
Ndërkoha Albert Krasniqi nga KDI që merret me mbikëqyrjen e punës së Kuvendit ka bërë të ditur se deputetëve në fjalë nuk u humb mandati i tyre edhe nëse dënimi është në formë të prerë, transmeton Indeksonline.
Krasniqi ka sqaruar se Kodi Penal parasheh tri lloje të dënimeve.
Ky është postimi i plotë:
Deputetët e dënuar sot me burgim me kusht nuk e humbin mandatin e tyre edhe nëse dënimi merr formë të prerë
Kodi Penal i Kosovës parasheh tri lloje të dënimeve:
Kryesore;
Alternative; dhe
Plotësuese.
Në kuadër të llojit të dënimeve kryesore hyn dënimi me burgim, kurse dënimi me kusht hyn në kuadër të lojit të dënimeve alternative.
Kushtetuta parasheh humbjen e mandatit të deputetëve vetëm në rast të dënimit me burgim të formes së prerë. Pra kur ka një dënim të llojit kryesor, jo alternativ.