07:55 / E Martë, 06 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Meta dekreton Helidon Bendon, kreun e SHISH

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar Helidon Bendon si kreun e ri të Shërbimit Informativ Shtetëror. Lajmi konfirmohet nga burime të sigurta për Ora News nga Presidenca.

Mësohet se presidenti dekretoi mbrëmë zëvendës Drejtorin në postin e Kreut të SHISH-it pas rreth 13 muajve, që kur e propozoi kryeministri Edi Rama.

Presidenti Meta paralajmëroi dekretimin Bendos pak ditë më parë në një intervistë për syri.net ku lavdëroi punën e tij.

Bendo u dekretua në krye të SHISH-it pas takimit kokë më kokë që kryeministri Rama pati me kreun e shtetit Ilir Meta, për mosdekretimin e Lleshit.

Kush është Helidon Bendo

Helidon Bendo u propozua nga kryeministri Rama në 30 tetor të 2017, kur edhe dha dorëheqjen Visho Ajazi Lika.

Helidon Bendo ka mbajtur detyrën e zv/Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror. Presidenti i asaj kohe, Bujari Nishani, dekretoi emërimin e Helidon Bendos si numri dy i SHISH pa krijuar polemika duke dhënë të kuptohet se ishte një figurë e pranuar nga të gjithë. Para prillit të vitit 2016, Helidon Bendo, ka ushtruar prej 7 vitesh detyrën e Drejtorit të Drejtorisë në Aparatin Qendror të SHISH.

Prej 21 vitesh në SHISH, Helidon Bendo, ka mbajtur detyra të ndryshme si: Inspektor terreni, Kryetar Dege, Drejtor Drejtorie në disa Qarqe të vendit dhe Drejtor Drejtorie në AQ. Bendo ka lindur në qytetin e Korçës në 12 maj 1971. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.