12:01 / E Hënë, 22 Maj 2023 / S Z

Meta, pronarja e Facebook, gjobitet me 1.2 miliardë euro, dërgoi në SHBA të dhëna të përdoruesve

Meta, kompania mëmë e Facebook-ut, u dënua të hënën me një gjobë rekorde prej 1.2 miliardë eurosh dhe u urdhërua ta ndalojë transferimin e të dhënave të mbledhura nga përdoruesit e Facebook në Europë në Shtetet e Bashkuara, në një vendim të madh kundër kompanisë së mediave sociale për shkeljen e rregullave të Bashkimit Europian për mbrojtjen e të dhënave, përcjell Gazeta Express.

Dënimi është potencialisht një nga më të rëndësishmet në pesë vitet që kur BE-ja miratoi ligjin historik të privatësisë së të dhënave të njohur si Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave. Rregullatorët thanë se kompania dështoi në përputhje me një vendim të vitit 2020 nga gjykata më e lartë e BE-së se të dhënat e dërguara përtej Atlantikut nuk mbroheshin mjaftueshëm nga agjencitë amerikane të spiunazhit, raporton New York Times.

Vendimi i shpallur të hënën vlen vetëm për Facebook-un dhe jo Instagram-in dhe WhatsApp-in, të cilat Meta i zotëron gjithashtu. Meta tha se do ta apelojë vendimin dhe se nuk do të ketë ndërprerje të menjëhershme të shërbimit të Facebook në Bashkimin Europian.

Kanë mbetur disa hapa përpara se kompania t’i mbyllë të dhënat e përdoruesve të Facebook në Europë – informacion që mund të përfshijë foto, lidhje miqsh, mesazhe direkte dhe të dhëna të mbledhura për të synuar reklamat.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe amerikanët po negociojnë një pakt të ri për ndarjen e të dhënave që do të siguronte mbrojtje të reja ligjore për Metën për të vazhduar lëvizjen e informacionit rreth përdoruesve midis Shteteve të Bashkuara dhe Europës. Një marrëveshje paraprake u njoftua vitin e kaluar.