16:38 / E Enjte, 07 Prill 2022 / MSH

Meta shqyrton hapat për të frenuar dezinformimin e qeverisë ruse

Meta ka hequr fushatat e hakerëve, rrjetet e ndikimit dhe operacionet e mashtrimit në mes të luftës në Ukrainë.

Kështu bëhet e ditur në raportin e publikuar sot nga kompania, ku ndër të tjerash thuhet se po shqyrtohen edhe hapa shtesë për të adresuar dezinformatat nga faqet e qeverisë ruse, shkruan Reuters.

“Ne po rishikojmë vazhdimisht politikat tona bazuar në situatën në zhvillim në terren dhe tani po shqyrtojmë në mënyrë aktive hapa shtesë për të adresuar dezinformatat dhe mashtrimet që vijnë nga faqet e qeverisë ruse” tha presidenti i Metas për çështjet globale, Nick Clegg.

Rusia ka luftuar me kompanitë e mëdha të teknologjisë për të kontrolluar rrjedhat e informacionit në internet pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, të cilin Moska e quan një “operacion special ushtarak”. 

Ajo ka ndaluar Facebookun, Instagramin dhe ka penguar Twitterin, duke ngadalësuar shërbimin e tij.

Në raportin tremujor, Meta tha se aktorë të lidhur me qeverinë nga Rusia dhe Bjellorusia ishin përfshirë në spiunazh kibernetik dhe operacione të fshehta të ndikimit në internet, duke përfshirë një operacion ndikimi të lidhur me KGB-në bjelloruse.