09:18 / E Martë, 13 Nëntor 2018 / indeksADMonline

MF konfirmon vazhdimin e afatit për aplikim për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm në ATK

Ministria e Financave ka ditë që ka hapur konkursin për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Administrates Tatimore të Kosovës.

Por, për shkak të mos aplikimit për këtë pozitë të grave dhe minoriteteve, konkursi është shtyrë për edhe një javë.

Këtë e ka konfirmuar për “Indeksonline”, zëdhënësi nga Ministria e Financave, Muharrem Shahini, duke potencuar se afati i konkursit është vazhduar edhe për 7 ditë kalendarike.

“Ministria e Financave, mbështetur në nenin 3 të Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin Nr. 04/L-102, me Ligjin 04/L-105 dhe me Ligjin Nr. 04/L-223 me qëllim të inkurajimit të më shumë kandidatëve të interesuar dhe me qëllim të krijimit të mundësive të përfaqësimit gjinor dhe multietnik, si dhe bazuar në praktikat më të mira, për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Republikës së Kosovës, ka vazhduar afatin e konkursit edhe  për 7 ditë kalendarike, nga data 10 nëntor 2018 deri më datën 16 nëntor 2018, deri në orën 16.00.” ka thënë ai.

Ndryshe, kandidatët që deri më tash kanë aplikuar për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës janë:

  1. Ruzhdi Zeqiri
  2. Murat Mehmeti
  3. Isen Lipovica
  4. Hamit Mulaj
  5. Ilir Murtezaj
  6. Hamdi Hoxha
  7. Shaqir Tolaj
  8. Astrit Haraqija
  9. Ismet Alia
  10. Besim Ahmeti

Rikujtojmë që personi i cili mban pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës aktualisht është Sakip Imeri, i cili këtë pozitë e mban që nga janari i vitit 2016./Indeksonline/