20:28 / E Shtunë, 10 Shkurt 2018 / indeksADMonline

MF: Nuk kemi pranuar kërkesë nga KQZ për pagesat e komisionerëve

Nga 50 mijë persona sa kanë qenë të angazhuar në zgjedhjet lokale, 1 mijë e 671 persona ende nuk janë paguar.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, për Indeksonline është shprehur se për pagesat e pakryera kanë kërkuar nga Ministria e Financave buxhet shtesë.

“Listat me emrat e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit (komisionerët) dhe të stafit tjetër të angazhuar në Zgjedhjet Lokale 2017 janë dërguar në Ministrinë e Financave për t’iu transferuar mjetet. Ndaj pjesës dërmuese të tyre, me kohë, janë kryer obligimet. Pra, po flasim për rreth 50 mijë persona.- Nga numri i përgjithshëm i tyre, janë vetëm 1 mijë e 671 persona të cilët nuk kanë marrë pagesën për angazhimin e tyre, për arsye të ndryshme. Për të kryer këto obligime të bartura nga viti 2017, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar buxhet shtesë nga Ministria e Financave”, ka thënë Elezi.Ai ka shtuar se për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve në fund të vitit është e pamundur të mos ketë obligime të bartura në vitin tjetër (2018).

“Në total obligimet e bartura për pagesën e 1 mijë e 671 personave (komisionerë, K-Vote dhe staf i QNR-së) dhe kthimet që janë bërë nga bankat (për shkak të gabimeve në llogari bankare të tyre) llogariten të jenë 140 mijë euro. Duhet ta kemi parasysh se Zgjedhjet Lokale janë mbajtur në fund të vitit dhe në rrethana të tilla e kemi të pamundur të mos kemi obligime të bartura në vitin tjetër”, ka theksuar Elezi.

Ndërkaq, Muharrem Shahini nga Ministria e Financave përmes një përgjigje elektronike për Indeksonline ka thënë se të gjitha kërkesat për pagesat e të angazhuarave në zgjedhje janë proceduar në kohë.

“Të gjitha kërkesat për pagesat për zgjedhjet e kaluara që KQZ i ka dorëzuar në Thesar-Ministri të Financave, janë proceduar me kohë dhe se për të gjitha rastet e pagesave të kthyera nga bankat dhe arsyet e kthimit për shkak të gabimeve te ndryshme, Thesari e ka njoftuar KQZ-në me kohë, e cila gradualisht ka bërë edhe përmirësimet e nevojshme dhe i ka sjell për procedim gjatë vitit 2017” thuhet në përgjigjen e tij.

Shahini ka thënë se për vitin 2018 nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë nga KQZ për procedim të pagesave.

“Ndërsa për vitin 2018, ende nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë nga KQZ për procedim të pagesave për zgjedhjet e kaluara, me buxhetin e vitit 2018. Ju lutem të keni parasysh se ky është proces dhe se pagesat ashtu siç vijnë edhe procedohen” ka shtuar Shahini./Indeksonline/