10:29 / E Hënë, 23 Korrik 2018 / indeksADMonline

Miku i ngushtë i Vokrrit kujton legjendën në ditëlindjen e 58-të

Nuk linte ditëlindje pa e uruar, e madje kohëve të fundit edhe pa e befasuar në zyrën e tij në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Ismet Begolli, miku i ngushtë i Fadil Vokrrit, e kujton edhe sot legjendën e futbollit mbarëshqiptar, i cili nuk është në mesin tonë, për të pritur ndonjë befasi nga miqtë e shumtë të tij.

Vokrri u nda nga jeta më 9 qershor të këtij viti pas një sulmi në zemër, një muaj e gjysmë para se të festonte ditëlindjen e 58-të të tij.

“Urime ditëlindjen legjendë, edhe pse nuk je në mesin tonë, ditëlindjet dhe ty kurrë nuk do të harrojmë”, thotë Begolli në urimin e tij për mikun e afërt, Fadil Vokrrin.

Begolli është aksionar i FC Prishtina dhe njëri nga kontribuuesit më të mëdhenj të futbollit kosovar.

Për nderë të ditëlindjes së tij, sot në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë takohen veteranët e Llapit dhe të Prishtinës, të cilët do të luajnë një takim miqësor.