17:52 / E Enjte, 23 Qershor 2022 / Gj. Sh

Milan nis kontaktet me Dybalan

Transferimi i Dybala te Inter dukej se kishte përfunduar, por rikthimi i Lukakut te “zikaltërit” ndryshoi gjithçka dhe tani Milani ëndërron afrimin e argjentinasit.

Mediet italiane raportojnë se nga “kuqezinjtë” kanë telefonuar përfaqësuesit e sulmuesit për të kuptuar situatën e negociatave me Inter dhe kërkesat ekonomike të Paulos.

Për momentin “Djalli vetëm ka pyetur, pa negociata, por ideja po bëhet gjithnjë e më konkrete në Casa Milan. Interi mbetet në avantazh të qartë, pasi Dybala ka një pakt me Marotta-n, por 28-vjeçari nuk do të presë pafundësisht.

Në ditët në vijim pritet një takim mes Marotta-s dhe përfaqësuesit Fabrizio De Vecchi, por gjithsesi nuk pritet të jetë një takim vendimtar. Interi pritet t’i kërkojë Dybala-s të jetë më i durueshëm de mbi të gjitha të ulë kërkesat, gjë e cila mund të çojë në mosfinalizimin e këtij transferimi.

Milani ndërkohë vëzhgon dhe mbetet vigjilent, miratimi i Paolo Maldinit nuk vihet në pikëpyetje, por duke pasur parasysh politikën e “kuqezinjve” për pagat, marrëveshja do të bëhej e mundur vetëm nëse Dybala do të ishte gati të ulte pretendimet e tij ekonomike.