08:51 / E Enjte, 07 Dhjetor 2023 / AR

Milani me mision në Spanjë për të kompletuar mbrojtjen

Juan Miranda do të jetë një lojtar i ri i Milanit. Mbrojtësi i majtë është në sezonin e fundit të kontratës me Betisin dhe ka arritur marrëveshjen me Milanin për t’u transferuar në verë.

Megjithatë klubi italian po negocion me andaluzianët e Betisit për ta marrë 23-vjeçarin që në janar, duke paguar një shifër modeste prej 3-4 milionë eurosh.

Kjo pasi Milani është në emergjencë në prapavijë, edhe për shkak të dëmtimeve të shumta dhe për më tepër, Miranda do të mund të marrë kohën e duhur për t’u përshtatur deri në fund të sezonit.

Ndërkohë, situata vijon të jetë emergjente edhe në qendër të mbrojtjes, aty ku lista e të dëmtuarve është e gjatë dhe momentalisht vetëm Fikayo Tomori është në dispozicion të Piolit.

Drejtuesit e Milanit kanë nisur kontaktet me Villarealin, për të ndërprerë para kohe huazimin e mbrojtësit Matteo Gabbia, i cili ka luajtur deri tani vetëm 10 ndeshje mes la Ligës dhe Europës me “nëndetësen e verdhë”.

Gabbia është i huazuar deri në fund të sezonit, por te Milani shpresojnë në mirëkuptimin e Villarealit, pasi 24-vjeçari njeh mirë ambientin kuqezi dhe kampionatin italian, duke qenë se ka luajtur nën urdhrat e Pioli për 4 sezone.