Mimoza Kusari për hetimet nga Prokuroria: Është rast i vjetër
Kryetarja e Alternatives, Mimoza Kusari- Lila po hetohet nga Prokuroria Themelore e Gjilanit për më shumë se një vit, për veprën penale keqpërdorim të detyrë zyrtare si kryetare e Komunës së Gjakovës.
Më parë ajo ishte hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, lidhur me punën e saj si ministre e Tregtisë dhe Industrisë.
Hetimet janë hapur bazuar në një kallëzim penal të deponuar në Prokurori. Ky kallëzim penal e implikon Kusari-Lilën në servisimin e një veture private të kompanisë “Mabetex Holding”.
Kusari- Lila thotë se ky rast është i vjetër, dhe se ajo është njoftuar se kanë pushuar hetimet lidhur me këtë çështje.
“Rasti i Prokurorisë së Gjilanit është dy vite i vjetër dhe mua më kanë njoftuar se kanë pushuar hetimet”, ka thënë ajo shkurt në një prononcim për Indeksonline.
Ajo është nën hetime edhe për privatizimin e katër hidrocentraleve nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me KEDS-in në vitin 2013.
“Ndërsa për rastin e privatizimit të Hidrocentraleve të KEDS mendoj se është një çështje për të cilën duhet të tregohet qartë se cila ishte përgjegjësia e Komisionit qeveritar për privatizimin dhe kush e solli vendimin për privatizim”, ka theksuar tutje ajo gjatë bisedës.
Indeksonline ka kontaktuar Prokurorinë e Gjilanit për detaje shtesë, por që të njëjtit nuk kanë qenë të disponueshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve lidhur me këtë rast. /Indeksonline/