09:40 / E Martë, 24 Tetor 2023 / S Z

Ministrat e Jashtëm të BE nuk bien në ujdi për Gazën

Pas sulmit terrorist të Hamasit kundër Izraelit dhe reagimit izraelit, ministrat e Jashtëm të BE e kanë të vështirë të gjejnë një përgjigje të përbashkët. Tani e kanë radhën krerët e shteteve dhe qeverive të BE.

Ndalimin e shkëmbimit të zjarrit për arsye humanitare do ta mbështesnin patjetër vendet anëtare të BE, është i mendimit, i ngarkuari i BE për politikën e jashtme, Josep Borrell. Një armëpushim i tillë duhet që të sillte ndihmat humanitare në Rripin e Gazës dhe popullsia civile të vendoset në siguri. Për këtë u konsultuan të hënën ministrat e Jashtëm të BE. Pozicionin përfundimtar do ta vendosin krerët e shteteve dhe qeverive të BE në takimin e tyre në Bruksel në fund të javës, theksoi Borrell. Konsensusi bazik është i mundur edhe pas takimit të ministrave të Jashtëm, edhe pse nuk pati një miratim formal, sipas Borrell.

BE e ka të vështirë gjetjen e një qëndrimi të përbashkët

BE e konsideron organizaten militante palestineze si terroriste, ashtu si Izraeli, SHBA, Gjermania e vende të tjera. Që nga 7 tetori, kur Hamasi sulmoi Izraelin në mënyrë masive terroriste, BE e ka të vështirë të gjejë një pozicion të përbashkët. Dy ditë pas sulmit të papritur të Hamasit u vunë re paqartësi, nëse dhe nëse po cilat ndihmat humanitare do të ndërpriteshin për zonat palestineze. Edhe ideja e ndalimit të përkohshëm të goditjeve apo një armëpushimi për arsye humanitare nuk gjen kudo mbështetje tek vendet anëtare. Po e paqartë mbetet, se ku është dallimi mes këtyre të dyjave.

Ndalim i goditjeve apo armëpushim?

Borrell i pyetur për këtë tha, se një armëpushim është për të më shumë se ndalimi i zjarrit. Ky i fundit është një qëllim më pak ambicioz dhe mund të zbatohet më shpejt. Armëpushimin për arsye humanitare duhet që ta vendosin të dyja palët në konflikt. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres e shfaqi këtë ide para pak ditësh. Që para takimit të ministrave të Jashtëm disa vende e mbështetën kërkesën për armëpushim. “Ne bëjmë thirrje për një armëpushim urgjent për arsye humanitare, për të krijuar korridore për ndihma humanitare për popullsinë civile”, kërkoi ministrja e Jashtme sllovene, Tanja Fajon. Edhe Spanja dhe Irlanda e mbështetën kërkesën e Guterres.

Gjermania heziton për armëpushimin 

Kurse ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock është shprehur me rezerva. Ajo u shpreh se luftimi i terrorizmit që ka sjellë kaq shumë vuajtje tek njerëzit në Gaza është “esencial”. Politikanja e gjelbër shtoi se “në të njëjtën kohë duhet bërë çdo gjë që të zbutet vuajtja e jashtëzakonshme e dy milionë njerëzve në Gaza”. Edhe nga pala çeke dhe letoneze u dëgjuan të njëjtat tone. Ministri i Jashtëm çek Jan Lipavsky e vuri në pikëpyetje, nëse një armëpushim i tillë do të mund të zbatohet vetëm me Hamasin. Ai shpreson që askush të mos e harrojë të drejtën për vetëmbrojtje të Izraelit. Më i qartë ishte ministri i Jashtëm italian. “Ne nuk mund t’i themi Izraelit, që nuk mund të mbrojë veten, për sa kohë që Hamasi hedh raketa mbi qytetet e tij.”

Tani vendimi për të kërkuar një ndalim të shkëmbimit të zjarrit, armëpushim humanitar apo asgjë të tillë i mbetet krerëve të shteteve dhe qeverive të BE që takohen të enjten. Në një draft të presidentit të Këshillit të BE, Charles Michel është përgatitur pasazhi përkatës, të paktën deri më tani./DW/