18:51 / E Hënë, 20 Qershor 2022 / AR

Ministri Aliu jep detaje rreth portit të përbashkët Kosovë – Shqipëri

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka dhënë detaje rreth projektit të portit të përbashkët në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Aliu tha se hartimi i pojektit për ndërtimin e lidhjes hekurudhore Prishtinë – Durrës, pritet të përfundojë sivjet, për të kaluar pastaj në hartimin e dizajnit. Ai shtoi se për këtë projekt është ndarë një buxhet prej 1 milion e 980 mijë eurosh.

“Kemi formuar grupin, dhe kemi përgatitur termat e referencës menjëherë për të filluar fizibiliteti, ka mbetur veç kjo pjesa financiare. Është projekt i përbashkët dhe duhet të financohet nga të dy shtetet, duhet të ketë marrëveshje të reja, duke e ditur që pjesa më e vështirë është në Shqipëri, më pak në Kosovë, i bie që bartëse e projektit të jetë Shqipëria dhe do të jetë financuese me 51 për qind të projektit e me 49 për qind republika e Kosovës. Kemi 1 milion e 980 mijë euro buxhet të ndarë dhe pritet të përfundojë sivjet e pastaj të merremi me hartimin e dizajnit”, ka thënë Aliu për Klan Kosova.

Sipas ministrit, ky korridor ka qenë prej kohës së Perandorisë Austo-Hungareze dhe është shfrytëzuar për dalje në Adriatik, nga pjesa e brendshme e Ballkanit dhe, siç tha ai, është vend shumë i përshtatshëm, pasi është zonë malore dhe për Kosovën është shumë e rëndësishme pasi mallrat nga porti i Durrësit shpërndahen përmes Prishtinës në regjion.

“Kjo hekurudha nga lugina e Drinit, ka pjerrtësi më të lehtë dhe arrin shpejtësi më të madhe të qarkullimit dhe do të jetë e përshtatshme edhe për portin e Tivarit, arrin më shpejt në Sofje, në Shkup dhe prandaj gjithë këto mallra kalojnë nëpër Shkodër, në Prishtinë dhe pastaj shpërndahen, kjo krijon një mundësi shumë të mirë për Kosovën që të zhvillohet ekonomikisht. Të gjitha ato mallra duhet të vijnë të sistemohen gjitha ato mallra duhet të shpërndahen, me transport tokësor të tjerat vazhdojnë me kontejnerë, e rëndësishme është se është edhe aeroporti afër, që duhet të shoqërohet me një terminal të mallrave, që e bën kombinim multimodal të transportit edhe atij detar edhe ajror edhe tokësor”, ka shtuar ai.

Ministri tha se Prishtina do të jetë një porti i thatë i atij të Durrësit.

“Do të jetë një port i thatë i portit të Durrësit, aktualisht portet e thata janë duke u zhvilluar shumë nëpër botë, kërkohet që në një largësi rreth 200 km të dërgohen mallrat e pastaj të shpërndahen nga aty, e vend i përshtatshëm për këtë punë është Prishtina”, ka thënë ai.

Ai foli edhe për të qeshurat e tij në takim me kryeministrin Rama, ku tha se ky i fundit i thotë gjërat në mënyrë interesante.

“Po qeshëm sepse mënyra se si kryeministri Rama i thotë gjërat, natyrisht që i thotë gjërat në mënyrë interesante”.