17:11 / E Premte, 02 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Ministri Berisha: FSK do të jetë ofrues i sigurisë në rajon dhe më gjerë

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka vizituar Maqedoninë, ku ka thënë se janë zotuar që Forca e Sigurisë së Kosovës, të jetë faktor stabiliteti dhe ofrues i sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Ministri Berisha u prit sot në Shkup nga ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, ku është diskutuar për zhvillimet në Kosovë e Maqedoni, situatën e sigurisë, bashkëpunimin dypalësh në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, si dhe për hapat që po ndërmarrin të dyja vendet për të qenë së ma afër realizimit të qëllimit për integrime euroatlantike.

Gjithashtu, biseduan për marrëdhëniet e mira ndërmjet  Kosovës e Maqedonisë, si dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit në fusha të ndryshme e me theks të veçantë në fushën  e mbrojtjes dhe atë të sigurisë.

Krahas kësaj, ministri Berisha  e përgëzoi Shekerinska lidhur me proceset e fundit pozitive në Maqedoni.

“Urova ministren Shekerinska për ratifikimin në Kuvend të Ligjit të marrëveshjes me Greqinë, ligj ky që i hap rrugën Maqedonisë për anëtarësim në NATO, Bashkim Evropian (BE) dhe organizmat tjerë ndërkombëtar’, tha ai.

Ministri Berisha, gjithashtu, e njoftoi ministren e Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë edhe për tri  ligjet  e miratuara në Kuvendin e Kosovës, të cilat siç u shpreh ai i hapin rrugë tranzicionit të FSK-së në Ushtri të Kosovës, për të arriturat e FSK-së, progresin dhe të arritur në këtë proces, si dhe për hapat që janë ndërmarrë në këtë fazë planifikimi të tranzicionit  të FSK-së.

“Ne si Forcë e Sigurisë së Kosovës, jemi zotuar që do të jemi faktor stabiliteti dhe ofrues të sigurisë në rajon dhe më gjerë. Synimi ynë është anëtarësimi përfundimtar në NATO. Marrëdhëniet e shkëlqyera në mes Kosovës dhe Maqedonisë i konfirmon edhe vizita ime sot këtu. Maqedonia ka qenë gjithmonë dhe është partnerë i fuqishëm i Kosovës dhe jemi të sigurt se do të kemi përkrahjen e saj në rrugën e tranzicionit që e kemi përpara’’, tha ai.

Ministri Rrustem Berisha dhe ministrja Radmilla Shekerinska diskutuan edhe për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit edhe në shkëmbimin e përvojave ndërmjet dy ministrive në fusha të ndryshme që kanë të bëjnë me politikat e mbrojtjes dhe sigurisë, stërvitjet e  përbashkëta, planifikimin, arsimimin, trajnimet  dhe fusha të tjera me interes të dyanshëm.

Në fund, Ministri Berisha ka falënderuar ministren Shekerinska për përkrahjen e saj  në shumë fusha, duke nënvizuar arsimimin e  kadetëve tanë në Akademinë Ushtarake të Maqedonisë.

Ndërkaq, ministrja Shekerinska u shpreh e kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm. Ajo po ashtu shfaqi interesim lidhur me procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe shprehu dëshirën për të vazhduar me traditën e takimeve të përbashkëta në mes dy ministrave përkatës të dy shteteve.