12:43 / E Mërkurë, 01 Gusht 2018 / indeksADMonline

Ministri Hamza prezanton raportin financiar, jep lajme të mira

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka prezantuar sot raportin financiar për shpenzimet dhe të hyrat për 6 mujorin e parë të vitit 2018-të.
Sipas tij, të hyrat e nivelit qëndror janë përafërsisht të njejtë, kanë një trend stabil, transmeton Indeksonline.net.

“Sa i përket tatimeve direkte ato kanë pasur një rritje prej 12 %, ndërsa ato indirekte 5%. Agjencionet të cilat janë përgjegjëse për grumbullimin e të hyrave Dogana dhe Afministrata Tatimore e Kosovës për 6 mujorin e parë kanë grumbulluar 40 milionë euro më tepër sesa periudha e njejtë e vitit paraprak”, ka thënë ministri Hamza.

Ministri Hamza, më tej ka theksuar se ka një stabilizim të borgjit publik, duke u zvogëluar vlera e tij.

“Kemi stabilizu trendin e borgjit publik, ka dallime në mes të raportit të vitit 2017-të dhe vitin 2018-të kemi një zvogëlim në raport me bruto produktin vendor prej 0.4 %. Sa i përket bilancit bankar kemi një rritje, prej 292 milion sa ka qenë në 308 milion”, ka thënë ai.

Në pyetjen për letrat me vlerë, Ministri i Financave, BedriHamza, ka thënë se ankandi nuk ka dështuar.

“Shitja e letrave me vlerë nuk ka dështu. As ankandet nuk kanë dështu, por kemi pas mbi ofertim dhe ne i vlerësojmë vetëm ofertat e favorshme. Unë pres që shuma që do të mledhet nga hua marrja e brendshme këtë vit, pa asnjë problem.”, shtoi Hamza.

Ai gjithashtu potencoi se të gjitha projektet të cilat janë pjesë e buxhetit të Kosovës, e kanë financimin e sigurt. Përveç, projekteve komunale të cilat projektet i kanë paraparë t’i realizojnë nga të hyrat vetanake. /Indeksonline.net/