23:26 / E Shtunë, 03 Mars 2018 / indeksADMonline

Ministri i Arsimit: Kosova ende nuk është jashtë EQAR-it

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka reaguar pas lajmeve në opinion se diplomat e studentëve nuk do të njihen ndërkombëtarisht tash pas përjashtimit të AKK-së nga EQAR.

Bytyqi ka thënë se shqetësimi që po tentohet të ngritët rreth largimit të Kosovës nga EQAR dhe si pasojë mosnjohjen e diplomave të studentëve është artificial dhe manipulim, raporton Indeksonline.

Ministri thotë se ende Kosova nuk është jashtë Institucionit Evropian të EQAR-it, siç po provojnë ta paraqesin ‘dashakëqët’.

Reagimi i plotë i Ministrit në facebook:

Ne do qëndrojmë krah studentëve
Tendenca manipuluese nuk e zhbënë dot validitetin e diplomave tona, as për efekte studimi as për efekte punësimi.
Të nderuar studentë, prindër dhe ju media, shqetësimi i cili po tentohet të ngritet rreth largimit të Kosovës nga EQAR dhe si pasojë do të ketë mosnjohjen e diplomave të studentëve tanë është artificial, stiset për manipulim dhe ka tendencë oponentësh e kapësish të arsimit e shtetit me bazë politike.
Arsimi nuk do duhej të bëhej arenë e përballjeve politike. Ai është segmenti më jetik i një populli në postmodernizmin që po kalon shoqëria në përgjithësi si stad zhvillimi.
EQAR është një institucion i çmuar i Bashkësisë Evropiane, por jo për tu penguar në rritjen e vet Akademike e as në arritshmërinë e realizimit profesional të kujtdo e kudo në tregun e punës, në Evropë e gjetiu.
Ne, realisht, ende nuk jemi jashtë institucionit Evropian të EQAR-it, siç dashakeqët e vendit provojnë ta paraqesin. Edhe ata e dijnë se ne kemi afate kohore Apelimi, përgjatë të cilit ne besojmë, por edhe po punojmë fort që të sqarojmë EQAR-in, për sa ka për të sqaruar në gjithë këtë keqkuptim të ardhur nga linja dashakeqe e komunikimit e ankimimit.
Lista emërore e Bordit të ri të Këshillit Shkencor të Cilësisë, edhe pse e dërguar muaj më parë në Kuvend, u vonua pafundësisht si pasojë e shtyerjes së seancave, që të shkonte para deputetëve për miratim, dhe kështu me padashje u vu në linjë me Dashakeqët keqinformator të EQAR-it, me çka bëri të krijohej ky vakum dhe të merrnim këtë goditje të përkohshme, por të cilën do e kthejmë në mirëkuptim duke përmbushur standardet e duke iu gjendur në krah institucioneve profesionale sikur dhe është KSHC.
Nga ana tjetër duam të sqarojmë për sa i përket një dezinformimi të opinionit që po provohet të bëhet, me çka ndokujt mund ti shkojë në mendje nga kjo të prodhoj atmosferë të keqe e mosbesuese, dashakeqe e penguese, për përfitim të mjerë. Sado e vështirë të jetë kjo, ne dhe tjerët pas nesh nuk do rreshtim derisa të triumfojmë për ti dhënë vendit institucione cilësore të arsimit.
Asnjëra nga vendet që rrethohemi, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia etj nuk janë anëtarë në këtë institucion Evropian. Diplomat e tyre vlerësohen kudo dhe janë të pranuara qoftë për studime qoftë për realizim të vendeve të punës, dhe këtë e dinë mirë edhe manipuluesit e kësaj të vërtete.
Ne sigurojmë cilëndo palë të interesit e më së shumti studentët tanë bartës të diplomave të nesërme, se ato janë e do të jenë valide për cilindo institucion të brendshëm e të jashtëm.
Akreditimet janë në fuqi, ato kanë afate të garantuara vlefshmërie si të tilla, dhe për kohën e tillë prodhojnë Diploma të pranuara barazvlershëm në gjithë hapësirën Evropiane.
Deri në kohën e Akreditimeve të reja ne do ecim përpara me Bordin e ri, të cilin do e votoj Parlamenti këto ditë, dhe do ia arrijmë ta kthejmë gjendjen në një qartësi dhe pranueshmëri nga EQAR.
Përhapësit i kësaj kampanje trilluese që nuk kanë konsideratë për shqetësimin e rrejshëm që u sjellin botës së re Akademike, Studentëve dhe familjeve që ndajnë shumë për arritshmërinë e fëmijëve të tyre duhet të besojë se nuk do ia dalin. Të bësh punën e krimit të kapësve të arsimit do të thotë të dështosh me turp.
Ne do qëndrojmë krah studentëve në tërë rrugëtimin e tyre të arritshmërisë dhe do bëhemi gjithmonë mburoja e tyre ligjore dhe hapësira e tyre e mundësive.
Kjo është detyra jonë dhe ne jemi në detyrë!