13:09 / E Martë, 02 Janar 2018 / indeksADMonline

Ministri i FSK-së i bindur: Në këtë muaj bëhet Ushtria! [Video]

Formimi i Ushtrisë së Kosovës që disa vite ka mbetur një ndër problemet kryesore në vend. Por, me ardhjen në krye të Qeverisë me Ramush Haradinajn, këtë  çështje si duket e ka marrë me seriozitet më të madh Ministria e Sigurisë e cila është kompetente në këtë drejtim.

I pari i këtij dikasteri qeveritar, Rrustem Berisha ka treguar se i kanë kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për të arritur transformimin e FSK-së në Ushtri.

Ministri i FSK-së, Berisha në një intervistë për “Indeksonline” ka thënë se buxheti për transformimin e Ushtrisë ka shënuar rritje. Sipas tij, Ushtria do të bëhet në fillim të këtij viti.

I pyetur rreth asaj se a do të jetë pengesë Lista Serbe në votimin për Ushtrinë në Kuvend. Berisha ka theksuar se do të punojnë në këtë drejtim që të arrihet një konsensus i përbashkët edhe me komunitetin joshumicë.

Po ashtu, ai ka shtuar se FSK-ja stërvitet me disa shtete të fuqishme të botës. Me këtë rast ,ky institucion i sigurisë posedon armatim të lehtë në bazë të misionit aktual që e ka FSK-ja.

Ministri Berisha, vitin 2018 do ta pret me familen e tij. Por, ai ka treguar se këtë herë në ndërrimin e motmoteve do ta viziton edhe Kazermën Ushtarake.

Më poshtë video e plotë e intervistës me Rrustem Berishen:

Cilat janë prioritetet dhe sfidat që mendoni se do ti keni gjatë mandatit qeverisës në ministrinë që ju e udhëhiqni?

Rrustem Berisha: Ne si Ministri e Forcës së Sigurisë së Kosovës i kemi përmbushur kapacitetet operacionale realisht që janë të vlerësuar nga këshilltarët ose nga ekipet  e NATO-s në vitin 2013. Deri më tani kemi arritur që njëfarë forme të iniciojmë ose të iniciohet analiza e rishikimit strategjik për sektorin e sigurisë, edhe në kuadër të kësaj kanë dalë disa rekomandime ku ky proces i transformimit është dashur të ndodhë në 2014-ën por për arsye tani vetëm se të njohura nuk  ka ndodhur procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. Ne fokusin kryesorë e kemi për mandatin tonë mirëmbajtjen dhe avancimin e kapaciteteve ekzistuese operacionale , zgjerimin e bashkëpunimit të ndërkombëtarë atë rajonal dhe global si dhe transparenca, llogaridhënia por fokusi kryesor i yni është procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës.

Kur pritet të bëhet transformimi i FSK-së në Ushtri?

Rrustem Berisha: Ne si Forcë e Sigurisë së Kosovës e kemi një strategji të integrimit të unitetit, e kemi një plan të veprimit, realisht që jemi duke punuar shumë si gjitha këto aktivitete dhe se jam më së i bindur se brenda  muajit shkurt të vitit të ardhshëm ne si Forcë e Sigurisë do t’i përmbushim të gjitha ato aktivitetet që janë paraparë sipas planit të veprimit sepse në kuadër planit të veprimit janë disa aktivitete që janë realizu, janë një pjesë e aktiviteteve që janë në realizim e sipër, por një pjesë tjetër e aktiviteteve pritet që të realizohet pas vendimit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Por ne si Forcë e Sigurisë mendoj se kah mesi i Shkurtit do të jem të gatshëm dhe do t’i realizojmë të gjitha ato aktivitete që janë të parapara me planin e veprimit. Përpos këtij plani që ne i kemi angazhimet, e ka edhe Qeveria angazhimet e veta po ashtu i ka edhe presidenti aktivitetet e veta dhe gjitha këto duhet të realizohen edhe në bashkëpunim ose një koordinim të mirë edhe me faktorë ndërkombëtarë me miqë tanë , partner tanë që na kanë ndihmu në rrugëtimin tonë të lirisë për me ardh deri këtu ku jemi.

A do të jetë pengesë Lista Serbe njëfarë forme për formimin e Ushtrisë, nëse po atëherë si do të veproni?

Rrustem Berisha: Tani është herët kjo të bisedohet se a do të jetë si pengesë, për ne është tepër me rëndësi që ne përpjekjet tona angazhimin tonë që të fokusohem drejt integrimit të mirëfilltë të komunitetit joshumicë, siç e dini ne deri më tani e kemi tejkaluar edhe kuotën e 10 %-it të pjesëmarrjes të komunitetit në kuadër të strukturave të FSK-së edhe realisht për në Janar parashohim ti ftojmë edhe politikanët, deputetët serb që të vijnë ta vizitojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës që të njoftojnë çka është Forca e Sigurisë së Kosovës, cila është struktura e saj, cila do të jetë nesër struktura e Forcave të Armatosurave, misioni, pastaj të hapim një debat rreth shqetësimeve që ata mund ti kenë në lidhje me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura , pastaj edhe të organizojmë një takim me komunitetin që tani janë pjesë e strukturave që janë mirë të integruar që ne kemi bërë përpjekje të vazhdueshme që t’i organizojmë edhe trajnimet, kurset në Gjuhën Shqipe, Angleze me qëllim të eliminimit të barrierave të komunikimit që është parakusht për të ardhmen. Po ashtu komuniteti joshumicë janë mirë të integruar ne veç para një muaj përafërsisht 30 ditë kemi pasur mundësinë edhe të shohim ndonjë gradimin e pesë pjesëtarëve të komunitetit joshumicë në Gjilan, kemi edhe pjesëtarë të tjerë të  cilët e kanë përfundu akademinë ushtarake në Maqedoni që janë kthyer dhe tani po kontribuojnë në kuadër të Forcës së Sigurisë në kuadër të strukturës që po punojnë në ngritjen dhe aftësimin e kapaciteteve për të ardhmen.

Cila mënyrë do të funksiononte më së miri që Kosova të bëhej shumë shpejt me Ushtri të saj?

Rrustem Berisha: Po unë mendoj se mënyra më e mira është që kjo të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese. Për shkak se edhe komuniteti joshumicë është pjesë  e vendimmarrjes pjesë e ndryshimit të Kushtetutës por edhe rrugëtimi jonë drejt integrimit në NATO dhe BE është shumë më e lehtë nëse kjo ndodhë me ndryshime kushtetuese.

Në cilat shtete të botës, stërvitet  apo angazhohet FSK-ja?

Rrustem Berisha: Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë me 13 shtete të botës. Por ato shtete që i paraprinë janë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës , e kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me shtetin e Ajovës ku i kemi  mbi 110 aktivitete brenda viti. Viti qoftë stërvitjeve individuale, kurse, trajnime të ndryshme të lamive të caktuara që i përfundojnë  edhe kemi rastin që shumë kadet tanë shumë  oficerë tanë që shkojnë shkollohen jashtë nëpër shtete nëpër akademi të ndryshme. Janë të përzgjedhur edhe si më të mirët, kemi rastin ku edhe kemi fotografinë në Mbretërinë e Bashkuar realisht Britania e Madhe ku është shpallur si kadeti më i mirë, e kemi Ëester Point e shumë e shumë akademi prestigjioze ku kadet tanë kanë treguar rezultate të shkëlqyeshme dhe na kanë bërë mu ndi krenarë që janë pjesë e Forcës së Sigurisë dhe janë premtues edhe për të ardhmen  e këtij institucioni që tani jemi këtu.

A është rritur Buxheti për formimin e Ushtrisë?

Rrustem Berisha: Në krahasim me vitin fiskal 2017 buxheti i planifikuar për vitin 2018 është përafërsisht 5 % ngritje e buxhetit. Edhe pse është debatu shumë rreth buxhetit  a është i mjaftueshëm apo nuk është ne e kemi pasur një dëgjim buxhetor me ministrin e Financave jemi rënë në dakord fillimisht se me këtë rritje të buxhetit  të vazhdojmë me aktivitetet tona , realizimin apo zbatimin e aktiviteteve që i kemi ndërsa pas marrjes së vendimit politik për transformim ky buxhet do të ketë rritje sipas rishikimeve ose sipas rekomandimeve të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë.

Me çfarë lojë armatimi pajisjet sot FSK-ja?

Rrustem Berisha:  Forca e Sigurisë së Kosovës tani posedon armatimin në bazë të misionit aktual që e ka Forca e Sigurisë, me armatim të lehtë, ndërsa për misionin tjetër do të ketë armatim tjetër sepse ne mendojmë në të ardhmen t’i ngrisim kapacitetet mbrojtëse, ne si shtet nuk kem pretendime territoriale ndaj asnjë shteti edhe presim që edhe shtete tjera të kenë qëndrimin e njëjtë por ne synojmë që si Forcë e Sigurisë së Kosovës  ti ngrisim kapacitetet mbrojtëse.

 Cili është mesazhi juaj për vitin 2018?

Rrustem Berisha: Unë fillimisht kisha dashur që përmes mediumit tuaj t’i përshëndes të gjithë pjesëtarët të Forcës së Sigurisë së Kosovës, familjarët e tyre t’i përgëzojë pjesëtarët e FSK-së për sukseset që i kanë arrit në vitin 2017, që na kanë bërë me u ndi krenarë dhe që ende FSK-ja vazhdon ta ketë  një respekt  edhe një vlerësim të jashtëzakonshëm në opinionin publik që disa herë më radhë është vlerësuar si organizata më e besueshme në vend. Edhe kisha dashur që në radhë të parë t’i realizojmë  objektivat synimet tona për vitin 2018 dhe t’i  realizojmë pritjet e qytetarëve  të rrumbullakojmë shtetin, shtetësinë e Kosovës  duke transformu Forcën e Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.

Me kënd dhe ku do ta pritni vitin e ri, 2018?

Rrustem Berisha: Po, unë sipas traditës shqiptare zakonisht natën e parë e pres me familje por një pjesë kësaj radhe kam menduar se të kalojë edhe me pjesëtarë të FSK-së sidomos atë pjesën e ndërrimit të motmoteve edhe sigurisht se do të jem edhe në Kazermën me shokë me pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës sepse kjo është krenaria jonë edhe ne tani duhet që t’i vlerësojmë dhe ata pjesëtarë që ne kur festojmë në shtëpi  ata janë nëpër detyra dhe funksione të ndryshme./Indeksonline/ Intervistoi: Ardian Beka/