11:19 / E Martë, 02 Tetor 2018 / indeksADMonline

Ministri i Punëve të Brendshme: Jemi në proces të rritjes së pagave për policët

Buxheti për rritjen e pagave të Policisë së Kosovës dhe zjarrfikësve u diskutua sot në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi tha se janë në proces për këto çështje duke u përpjekur të arrijnë sigurimin e mjeteve për rritjen e pagave për këta shërbyes.

Në mbledhjen e sotme gjithashtu ministri u pyet edhe për ligjin për pensionim të parakohshëm të PK-së, ku ai deklaroi se janë në proces te krijimit të parakushteve për zbatimin e këtij ligji. “Jemi në proces për rritjen e pagave. Pensionimi i parakohshëm kërkon buxhet, jemi ne proces te krijojmë parakushte të zbatohet ky ligj dhe te kalojmë në fazë të re. Nëse ky ligj kalon ka mundësi te standardizohet mosha për policinë e Kosovës. Çështja e zjarrfikësve jemi në diskutim për buxhetin. Jemi në kërkim të buxhetit për të pasur mundësi me gjet zgjidhjen adekuate për me pas mundësi me ju përgjigj kërkesave”, tha ai.

Ai tha se ligji është gati dhe se do të insistojnë qe ai të kalojë brenda këtij viti. Ndërkohë nuk tregoi për koston qe kërkohet veçse tha se nuk është e papërballueshme. Ministri u pyet edhe për vizitën e presidentit Hashim Thaçi në veri të vendit, ku tha se çdo vizitë brenda territorit është nën autoritetin e presidentit.

Temat: