11:12 / E Enjte, 30 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Ministri Kujtim Gashi mbështetë fuqishëm kërkesën e KOK-ut, që komunat ta rrisin buxhetin për sportin

Ministri për Kulturë, Rini e Sport, z. Kujtim Gashi, ka mbështetur fuqishëm konstatimin e Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës, të cilët në mbledhjen e 12-të vlerësuan se klubet sportive kanë vështirësi në funksionimin e tyre, ku shumë sosh janë në rrezik të shuarjes.

 Postimi i plotë i ministrit Kujtim Gashi

Sporti në Kosovë edhe përkundër investimeve të shumta që janë bërë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit viteve të fundit, si në infrastrukturën sportive, ashtu edhe në subvencionimin e aktiviteteve sportive në të gjitha nivelet, përfshirë ato të Komitetit Olimpik të Kosovës, federatave sportive, klubeve dhe sportistëve, akoma përballet me sfida të shumta, dhe ka nevojë për mbështetje edhe më të madhe nga të gjitha institucionet relevante.
Që nga marrja e detyrës së Ministrit të Sportit, jam zotuar se një nga prioritetet e mia kryesore gjatë mandatit tim do të jetë pikërisht sporti. Sërish ju siguroj se me përkushtim të madh do të vazhdojë përkrahjen e pa rezervë për zhvillimin e sportit, duke investuar në modernizimin e infrastrukturës sportive, përkrahjen financiare të të gjitha aktiviteteve sportive përmes KOK dhe federatave sportive, përfshirë përkrahjen për përfaqësimin e Kosovës në të gjitha garat ndërkombëtare, masovizimin e sportit etj.
Për ne si Ministri, një nga shqetësimet kryesore sa i përket funksionimit të sportit mbetet subvencionimi i klubeve sportive, të cilat do të duhej të mbështeteshin edhe nga komunat përkatëse në të cilat e shtrijnë veprimtarinë e tyre sportive. Këtë shqetësim së fundmi e ka ngritur edhe Komiteti Olimpik i Kosovës, të cilët sikur edhe ne kanë shprehur frikën se shumë klube sportive, për shkak të mungesës së buxhetit sot po rrezikojnë edhe të shuhen, andaj i bashkëngjitëm kërkesës së KOK dhe ju bëjë thirrje publike të gjithë kryetarëve të komunave që në kohën e planifikimeve buxhetore për vitin e ardhshëm të kenë parasysh këtë fakt dhe të ndajnë më shumë buxhet për klubet që operojnë në komunat e tyre, në të kundërtën klubet sportive nuk mund të mbijetojnë vetëm me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Tashmë kur sporti dhe sportistët në Kosovë janë në një stad shumë më të avancuar, për faktin që shumë sportistë të Kosovës sot janë të njohur në arenën ndërkombëtare me punën dhe rezultatet e tyre, është obligim i yni shtetëror t’i përkrahim ata si nga niveli qendror po ashtu edhe nga niveli lokal.
K.G.