Ministri Lluka iu përgjigjet protestuesve për energjinë
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i është përgjigjur Rron Gjinovcit, njëri ndër organizatorëve të protestës që u mbajt sot në kryeqytet kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike
Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Lluka tha: “Forma e tarifimit është standard që përdorin ndërkombëtaret. Humbjet për kyçjet ilegale në Kosovë, KEDS i ka 24%. KEDS-i nuk mund t’i shkyqë kyçjet ilegale, kjo zgjat dy vjet dhe kjo KEDS-it i shkakton humbje”.
“Ne nuk mund të varemi nga importet, ato kanë shumë probleme. Këtë janar kemi paguar rrymë 300 euro megavat importin. Këtë dimër, janari, shkurti, jemi të imponuar të importojmë energji për shkak të termocentralit. Rritja e energjisë ka me qenë minimale”.
“Kjo ndodh për shkak të shpronësimeve në Shipitullë. Kjo është arsyeja. Për ta mbuluar importin janë dy forma, ose tarifat ose Qeveria me buxhet, po ne disi duhet ta mbulojmë humbjen. KEDS ka një limit buxhetor sa janë pajtuar fillimit të shpenzohet për importe, nëse kjo kalohet, duhet Qeveria të ndihmojë”, tha më tej Lluka.
Ndërkaq, Gjinovci shtoi se protestat do të vazhdojnë përderisa do të ketë rritje të tarifave.