15:26 / E Premte, 14 Tetor 2022 / shkelqim osmanaj

Ministri Murati udhëheq Takimin e Konstituencës në Takimet Vjetore të Bankës Botërore

Në kuadër të Takimeve Vjetore të Grupit të Bankës Botërore që po mbahen gjatë kësaj jave në Uashington, Ministri Murati ka udhëhequr Takimin e Konstituencës, ku bën pjesë edhe Kosova.

Takimi i Konstituencës së Bankës Botërore, mbledh përfaqësues nga Ministritë e Financave të Austrisë, Belgjikës, Turqisë, Bjellorusisë, Çekisë, Luksemburgut, Hungarisë, Sllovakisë, Sllovenisë, si dhe Kosovës.

Me këtë rast, Drejtori Ekzekutiv i Konstituencës z. Hayrettin, ka prezantuar të arriturat kryesore të Grupit të Bankës Botërore dhe të Konstituencës përkatëse.

Në këtë takim përfaqësuesit gjithashtu u dakorduan lidhur me qëndrimin e përbashkët mbi financimin e politikave të qëndrueshme zhvillimore, si dhe krizën energjetike e ushqimore.

Ministri Murati gjatë fjalës së tij, ndër të tjera, shprehu edhe interesin e Kosovës që të jetë nikoçire e takimit të radhës së Konstituencës, propozim i cili u mirëprit nga anëtarët e Konstituencës.