16:45 / E Mërkurë, 11 Korrik 2018 / indeksADMonline

Ministri Tahiri falënderon punonjësit e administratës gjyqësorë që ndaluan grevën

Punonjësit e administratës gjyqësorë kanë ndaluar sot grevën disa ditore.

Me këtë rast Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri është shprehur falënderues ndaj tyre duke thënë se me këtë veprim dëshmuan besimin që kanë ndaj institucioneve.

Tahiri ka thënë poashtu se kjo çështje ka qenë shqetësim i tij që nga shtrimi i kërkesave dhe se është i lumtur që sot një marrëdhënie e re është duke u zhvilluar në diskursin e komunikimit mes punonjësve të administratës së gjyqësorit dhe institucioneve, transmeton Indeksonline.

Me ndërprerjen e grevës sipas Tahiri, punonjësit dëshmuan se nuk janë të prirur nga instinkti personal por meritojnë të trajtohen denjësisht dhe këtë trajtim do ta kenë.

Postimi i plotë:

Jam shumë falënderues ndaj punonjësve të administratës së Gjyqësorit të cilët me ndërprerjen e grevës dhe rikthimin në punën e tyre në shërbim të qytetarëve, dëshmuan besimin që kanë ndaj institucioneve tona qeveritare, Ministrinë e Drejtësisë, përkatësisht Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial, si adresa ku shtrohen dhe zgjidhen kërkesat racionale që dalin si nevojë e kohës. Natyrisht, kjo çështje ka qenë shqetësim i imi që nga shtrimi i kërkesave të tyre dhe sot jam i lumtur që një marrëdhënie e re është duke u zhvilluar në diskursin e komunikimit mes punonjësve të administratës së Gjyqësorit dhe neve që jemi adresa e trajtimit të tyre. Për dallim nga mos prezenca “e pa precedent” siç është cilësuar nga deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, në Komisionin për Legjislacion ku kjo temë ishte menduar të trajtohej para kamerave, në atë kohë isha përballë grevistëve dhe po e trajtonim konkretisht këtë temë. Besoj se në një peshore reale, çdo kush e vlerëson përpjekjen për të ofruar zgjidhje e jo thjeshtë për të performuar për to. Me ndërprerjen e grevës, punonjësit e administratës dëshmuan se nuk janë të prirur nga instikti personal, por meritojnë të trajtohen denjësisht dhe këtë trajtim do ta kenë. Së bashku jemi duke e bërë sundimin e ligjit, një temë qendrore e cila po merr kuptim të mirëfilltë.