Ministri Tahiri synon zvogëlimin e zyrtarëve që deklarojnë pasurinë
Ministria e Drejtësisë në vargun e ligjeve që po synon t’i plotësojë dhe ndryshojë, janë edhe ligji për deklarimin e pasurisë dhe ligji për Agjencinë Kundër Korrupsion. Me anë të këtyre ndryshimeve, synohet të zvogëlohet numri i zyrtarëve të cilët do ta deklarojnë pasurinë.
I pari i këtij dikasteri, Abelard Tahiri, në një prononcim për KosovaPress-in, tha se është i interesuar që përmes këtyre ndryshimeve ta fuqizojë Agjencinë Kundër Korrupsion, por pa dëmtuar pavarësinë e saj.
Ai thotë se do të propozojë edhe heqjen e një numri të madh të zyrtarëve për deklarimin e pasurisë, që nuk kanë pushtet, siç janë asamblistët e kuvendeve komunale.
“E kam thënë edhe më herët ne do të fokusohemi nëpër ato institucione ku janë me shumë të afektuar me aferat nga keqpërdorimet, nga aferat korruptive dhe e kam theksuar edhe më herët të lista e deklarimeve të pasurive, lista është shumë e madhe që deklarojnë pasurinë dhe kapacitetet e Agjencisë e kanë të pamundur me këtë të arrijnë të bëjnë një verifikim dhe ne duhet ta reduktojmë ndjeshëm atë listë sepse ka shumë zyrtar të niveleve komunale të cilët në fakt janë njerëz shumë të papushtetshëm por janë në listë të deklarimit të pasurisë në bazë të ligjit aktual. Dhe unë konsideroj se një pjesë e mirë e tyre duhet të largohet. Nuk mund të konsiderohet njëjtë sikur një qoftë deputet apo ministër, ose një asamblistë i kuvendit komunal, i cilitdo kuvend komunal qoftë ai. Fokusin duhet ta kemi në qeveri, parlament, gjyqësor, prokurori dhe jo në nivelet të cilët janë të papushtetshëm dhe mundësia që të ndodhin afera korruptive janë të vogla” ka thënë Tahiri.
Megjithatë, ai thekson se këtë ai e ka nxjerrë si ide dhe në parim janë pajtuar, porse në asnjë mënyrë nuk do ta bëjë krye në vete, por do ta konsulton ngushtë AAK-në, përvojat e tyre, të metat e tyre ku ata i kanë pasur në proces, deputetët e Kuvendit, komisionit për legjislacion në mënyrë që të harmonizojnë qëndrimet.
Iniciativa e ministrit Tahiri po shihet e mirë nëse ajo bëhet pas një analize të duhur për t’i parë praktikat dhe modelet më të mira të vendeve, qoftë në rajon apo në vendet e Bashkimit Evropian.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, tha për KosovaPress, se duhet së pari të shihen praktikat e vendeve të tjera në mënyrë që mos të bëhet eksperimente në Kosovë.
“Para se të bëhet ndryshime në ligjet që kanë të bëjnë me luftimin e krimit dhe korrupsionit, është esenciale që në radhë të parë të shihen modelet efektive qoftë në rajon apo në vende të tjera të BE-së dhe të shikohet në ato vende, modele sa ka qenë e gjerë lista e personave që duhet deklaruar pasurinë, cilat kanë qenë kategoritë që me së shumti janë targetuar dhe sa ka ndihmuar kjo në shtetet konkrete në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Pra duhet të shihen praktikat me të mira në mënyrë që Kosova mos të bëjë eksperimente që tashmë kanë dështuar. Dhe e dyta, duhet bashkëpunim me shoqërinë civile”, theksoi Osmani.
Ajo thotë se secili zyrtarë që zgjidhet drejtpërdrejtë nga vota e qytetarëve ka në njëfarë forme pushtet, duke përfshirë edhe asamblistët meqë kanë përgjegjësi për pronat publike komunale që i prek qytetarët. Megjithatë, nëse vlerësimet e organeve që kanë bërë mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit janë ndryshe, deputetja Osmani thotë se ata si deputet janë të gatshëm ta rishikojnë këtë pjesë.
Pozitive e vlerëson edhe shoqëria civile propozimin e ministrit Tahiri, nëse kjo ka për qëllim fokusimin në nivelin e lartë dhe mos amnistimin e asnjë zyrtari të lartë, i cili shkel ligjin apo bie në konflikt interesi.
Megjithatë, sipas Ehat Miftarajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, kjo duhet të bëhet pas një analize që duhet ta bëjë Miistria e Drejtësisë.
“Ne si IKD në vazhdimësi kemi kërkuar që të rishikohet numri i madh i zyrtarëve që deklarojnë pasurinë dhe të cilët në praktikë në të vërtetë nuk kanë ndonjë pushtet i cili mund të themi se mund të bie ndesh gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre. Në Kosovë aktualisht janë mbi 4 mijë persona që bëjnë deklarimin e pasurisë. Ajo çka në praktikë ka ndodhur gjithmonë është që kemi një mungesë të kontrollit, mbikëqyrjes si dhe të hetimit, ndjekjes së rasteve të zyrtarëve qoftë që bien në kundërshtim me ligjin qoftë në konflikt të interesit. Në këtë drejtim nëse qëllimi i MD-së është që të fokusohet vetëm në pozitat e larta dhe këto raste të trajtohen me prioritet e mos të kemi amnisti ndaj personave që shkelin ligjin me rastin e korrupsionit të nivelit të lartë, sigurisht mund të konsiderohet si një iniciativë e mirë”, tha Miftaraj.
Miftaraj thotë se institucionet që merren me sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, duhet të shikojnë me shumë edhe mënyrat e kontrollit me të madh ndaj zyrtarëve të lartë.
Ministria e Drejtësisë, aktualisht ka një numër të madh të ligjeve që po synon t’i plotësojë gjatë këtij viti legjislativ, e që kanë të bëjnë me legjislacionin për luftimin e krimit dhe korrupsionit.