16:24 / E Mërkurë, 10 Qershor 2020 / indeksADMonline

Ministri Zemaj dhe Ambasadorja Apostolova biseduan për projektet e BE-së në shëndetësi

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj priti sot në një takim Shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian/Përfaqësuesen e Posaçme të BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Në këtë takim, Ministri Zemaj e njoftoi Ambasadoren Apostolova me programin e tij për sektorin e shëndetësisë, ku rëndësi do t’i kushtohet zhvillimit të shërbimeve, transparencës, llogaridhënies dhe luftës kundër korrupsionit.

Ministri Zemaj, po ashtu e falënderoi Bashkimin Evropian për asistencën e dhënë sektorit të shëndetësisë, në veçanti për ndihmën prej 5 milionë eurove në mjete mbrojtëse profesionale për personalin shëndetësor, materiale dhe pajisje mjekësore për reagim adekuat ndaj pandemisë Covid-19 në Kosovë.

Në takim është biseduar për koordinimin e aktiviteteve, vazhdimin e përkrahjes së BE-së për Kosovën dhe sektorin e shëndetësisë si dhe përgatitjen e Kosovës për aplikim për projektet e programit të IPA-3 të Komisionit Evropian.

Ministri Zemaj ka falënderuar Ambasadoren Apostolova për shërbimin e saj në Kosovë dhe kontributin e dhënë si përfaqësuese  e Zyrës së BE në forcimin e rendit dhe ligjit, zhvillimin e demokracisë dhe kontributin e drejtpërdrejt në shëndetësi.