16:14 / E Shtunë, 19 Maj 2018 / indeksADMonline

Ministria e Drejtësisë nuk u kthen paratë të burgosurve pas lirimit

Plotësimi i pozitave me ushtrues detyre në kundërshtim me ligjin, mos kthimin e parave të burgosurve, mangësitë në procesimin e pagesave, janë vetëm nga disa shkeljet e Ministrisë së Drejtësisë.

Këto shkelje të Ministrisë kanë ndodhur gjatë vitit 2017 të cilat i ka evidentuar raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit. E shkelja më e rëndë e cila ka dëmtuar direkt të burgosurit është që kjo ministri nuk ia kishte kthyer paratë personave që kishin vuajtur burgimin, pas lirimit të tyre.

Mirëpo, kjo nuk është hera e parë që parat e të burgosurve nuk kthehen. Kjo pasi edhe në vitin 2016, vlera prej 25 mijë e 644 euro nuk iu është dhënë të burgosurve pas kanë përfunduar dënimet.

Ligji mbi sanksionet penale dhe rregulla financiare për fondet në mirëbesim, e përcakton që sendet personale dhe paraja e të burgosurve do t’i kthehen të burgosurit pas lirimit të tij. Mirëpo, MD nuk u ka kthyer, me arsyetimin se disa të burgosur pas lirimit nuk janë interesuar për mjetet të cilat iu kanë mbetur si depozita, shkruan Indeksonline.

Paratë e të burgosurve të cilat nuk janë kthyer, kapin vlerën prej 32 mijë euro e 647 euro. Ndërsa, në Qendrën Korrektuese të Dubravës, vlera e depozitave që nuk është kthyer ishte mbi 17 mijë euro.

“Ne kemi vërejtur që paratë e të burgosurve në vlerë prej 32,647€ nuk u ishin kthyer të burgosurve pas lirimit. Vetëm në Qendrën Korrektuese të Dubravës vlera e depozitave që nuk janë kthyer ishte 17,553€. Sipas zyrtarëve përgjegjës, këto mjete nuk janë kthyer, për arsye se disa nga të burgosurit pas lirimit, nuk janë interesuar për mjetet të cilat ju kanë mbetur si depozita. Mos kthimi i mjeteve të burgosurve të cilët i përfundojnë dënimet apo lirohen, është në kundërshtim me rregullat e aplikuesh”, thuhet në këtë raport.

Pos kësaj, në MD gjatë këtij viti janë plotësuar pozitat me ushtrues të detyrës për më gjatë se tre muaj, që është në kundërshtim me rregulloret.
“ Në burgun e Sigurisë së Lartë që nga marsi 2016, një zyrtar korrektues është caktuar ushtrues i detyrës i Udhëheqësit të Njësisë për Siguri të Brendshme; Zv Drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë (QPM), është caktuar UD i Drejtorit të QPM-së që nga data 06.01.2016; Në Qendrën Korrektuese në Dubravë nga pozita Udhëheqës i Administratës, është caktuar UD i zëvendës Drejtorit në QKD, në fund të dhjetorit 2016; dhe Në Qendrën e paraburgimit në Prishtinë një zyrtar i cili ka qenë UD i udhëheqësit për siguri në Zyrën Qendrore të SHKK-së, ishte caktuar më pas UD i Drejtorit të Drejtoratit për Operativë, Siguri dhe Transportim të Burgosurve në Zyrën Qendrore të SHKK-së”, thuhet në këtë raport.

Po ashtu, Ministria e Drejtësisë ka treguar mangësi në procedimin e pagave.

Sipas këtij raporti të gjitha faturat që i pranon organizata buxhetore, duhet të paguhen brenda 30 ditëve në qoftë se nuk është paraparë ndryshe me kontratë
“Në SHKK, kemi vërejtur se në 30 raste pagesat me vlerë të përbashkët prej 529,809€ janë kryer pas afatit të paraparë ligjor prej 30 ditësh. Vonesat kryesisht janë prej 30 deri në 60 ditë përtej afatit të paraparë ligjor, derisa kjo çështje, është përsëritur nga vitet paraprake. Si arsyetim për këtë zyrtarët e SHKK-së theksuan që gjatë vitit 2017 ishin përballur me vështirësi të alokimit të mjeteve me kohë dhe me probleme me sistemin e thesarit për të realizuar pagesat”, thuhet në këtë raport, transmeton Indeksonline.

Edhe Avokatura Shtetërore, pjesë e MD-së, ka treguar menaxhim të dobët të informative. Sipas këtij raporti, avokatura duhet t’i ketë informatat e sakta lidhur me kontestet dhe paditë ndaj institucioneve që i përfaqëson.

“Kjo ngase përveç evidentimit si raste kontestuese/padi, në regjistrin e lëndëve mungojnë informata të tilla si: kush është paditësi, kush është i padituri, në cilën fazë gjendet lënda, në shumë raste nuk ka ndonjë vlerë të përafërt të dëmit/përfitimit të mundshëm etj. Përveç kësaj linjat e komunikimit ndërmjet Avokaturës Shtetërore, Institucioneve që Përfaqësohen dhe Gjykatave, nuk janë shumë funksionale”, thuhet tutje në këtë raport.

Po ashtu, realizimi i buxhetit për investime kapitale mbetet sfidë me të cilën përballet në vazhdimësi MD-ja. Buxheti final për investime kapitale është realizuar rreth 81%. Megjithatë buxhetit final në ketë kategori ishte reduktuar për 509,675€. Kjo çështje ishte trajtuar në raportet e auditimit të viteve paraprake, mirëpo ende nuk është adresuar nga menaxhmenti. MD ka patur edhe vonesa në kryerjen e obligimeve ndaj operatorëve ekonomikë./Indeksonline/