75 Mall Live Search
10:36 / E Martë, 31 Korrik 2018 / indeksADMonline

Ministria e Shëndetësisë nuk garanton se insulinat do shpërndahen në sasi të plotë

Gjatë muajit gusht pritet që furnizimi i Qendrave të Mjekësisë Familjare me insulina të bëhet në kohë.

Në një përgjigje për Indeksonline, zyrtarët për informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se në muajt e kaluar furnizimi jo i plotë ka ndodhur vetëm për insulinat Novomix, ndërsa të tjerat janë shpërndarë në sasi të plotë.

“Vetëm prej njërës prej këtyre insulinave (Novomix) në disa komuna ka pasur furnizim 75% për këtë muaj, përderisa sasitë për llojet e tjera kanë qenë 100%. Nuk bëhet fjalë për gjysmë njësi po për një furnizim pothuajse të plotë për dy-tre muajt e fundit. Furnizimi do të vazhdojë edhe për muajin gusht sipas orareve”, kanë thënë ata.

Sipas tyre, ka pasur raste kur QKMF-të janë ankuar për sasinë, por siç thotë ai, Ministria e ka bërë shpërndarjen në bazë të sasisë që u është kërkuar.

“Edhe gjatë korrikut, pas një riprogramimi të planifikimeve për gjashtë mujorin e dytë të MSh-së të planifikimeve të bërë nga ana e QKMF-ve është bërë furnizimi i këtyre qendrave me insulinë. Ka pasur aty-këtu thirrje prej ndonjë QKMF-je për sasitë e tyre, mirëpo furnizimi është bërë sipas kërkesave për sasitë e kërkuara për 5 llojet e insulinave të cilat i siguron Ministria”, thuhet tutje në përgjigjen e MSh-së.

Ndryshe, QKMF në Prishtinë insulinat Novomix i ka shpërndarë me sasi jo të plotë. Diabetikët i kanë marrë ato me numër të kufizuar që nga fillimi i këtij viti./Indeksonline/