75 Mall Live Search
14:05 / E Martë, 10 Prill 2018 / indeksADMonline

Ministria e Shëndetësisë vazhdon “avazin” e vjetër, vonohen insulinat

Njëjtë sikur në muajt e kaluar, as për muajin prill, Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur të bëjë furnizimin me kohë të insulinave në QKMF.

Sipas tyre, furnizimi do të bëhet tek javën e ardhshme.

Në një përgjigje për “Indeksonline”, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se kontrata është nënshkruar dhe pritet që të nisë furnizimi i rregullt me insulina analoge.

“Ndërsa për të përmbushur të gjitha kërkesat në afat sa më të shpejtë të mundshëm, MSh ka zhvilluar procedura me afate të shkurtuara për sigurimin e insulinave analoge, është nënshkruar edhe kontrata, derisa nga java e ardhshme e këtij muaji, do të behët furnizimi i rregullt sipas kërkesave të institucioneve edhe me insulinë analoge”, thuhet në përgjigjen e MSh-së dhënë për “Indeksonline”.

Në mars, QKMF-ja në Prishtinë ka ndarë insulinat në sasi të kufizuar. Vetëm 2-3 ditët e para ato janë shpërndarë në sasi të nevojshme për personat me diabet, ndërsa më pas numri i tyre është ndarë përgjysmë.

MSh deri më tani nuk ka pasur problem me shpërndarjen e insulinave humane.

“Ministria e Shëndetësisë gjatë muajt mars të këtij viti, për shkak të sasisë së vogël të insulinës analoge, ka qenë e detyruar për të bërë furnizime në sasi të kufizuara, derisa insulinat humane janë shpërndarë sipas kërkesave të institucioneve”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

Insuliat analoge siç janë ato Novorapid dhe Novomix, janë në mungesë të vazhdueshme dhe që vonohen deri sa arrijnë të shpërndahen. Ato janë edhe më të shtrenjta për t`u blerë, kurse janë edhe më të rekomanduarat nga mjekët./Indeksonline/