12:46 / E Mërkurë, 28 Tetor 2020 / OSH

Ministrja Bajrami kërkon të blejë një dron, alokon mijëra euro

Ministria e Financave ditë më parë ka bërë njoftimin për një Re-tender.

Dikasteri që udhëhiqet nga Hykmete Bajrami e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kërkon të furnizohet me një dron, shkruan IndeksOnline.

Pas skandaleve që ndodhen në këtë ministri pak ditë më parë, sa i përket 2- milionëshit, Bajrami duket të jetë me e kujdesshme me punonjësit e saj.

Përmes këtij tenderi, ministrja Bajrami ka kërkuar të blejë një dron, për Departamentin e tatimit në pronë, shkruan IndeksOnline.

Për kontratën, “Furnizim me fluturake (Dron), trajnimi dhe mbështetja e stafit të Departamentit – tatimi në pronë – R”, janë alokuar 17 mijë e 500 euro.

Po të njëjtën kërkesë, Ministria e Financave pati shpallur tender edhe më 14 të këtij muaji, porse ai është anuluar vetëm disa ditë më pas.

 “Anulimi i këtij aktiviteti bëhet pasi që asnjë operator ekonomik nuk ka ofruar ofertë të përgjegjshme”, pati njoftuar prokurimi disa ditë më parë.

Ndërkohë që afati i fundit për pranimin e tenderëve është më 06.11.2020./IndeksOnline/