19:52 / E Diele, 28 Tetor 2018 / indeksADMonline

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë e zhgënjyer me deklaratën e zyrtares së Greqisë

Pas deklaratës së Ministrisë së Jashtme greke si dhe Policisë së Shtetit, ku sqarohej e gjithë dinamika e ngjarjes në Bularat, ku mbeti i vrarë nga RENEA shtetasi grek, Konstandinos Kacifas, ka reaguar edhe Ministria e Jashtme shqiptare.

Në një deklaratë për mediat, Ministria e Jashtme shprehet ndër të tjera, se rrethanat në të cilat humbi jetën shtetasi Kacifa, janë bërë të ditura zyrtarisht nga autoritetet kompetente shqiptare dhe se shpreh zhgënjim për reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila jo vetëm nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit, po flet për “humbje jete të papranueshme”.

“Duke bërë thirrje për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të këtij rasti sa të qartë dhe të paprecedentë, i sigurojmë fqinjët tanë se Shqipëria është vend i sigurt e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke”, thuhet në këtë deklaratë.

Deklarata e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, bashkë me keqardhjen për ngjarjen e ndodhur sot në Bularat, Gjirokastër, ku humbi jetën shtetasi Konstandinos Kacifa, shpreh po ashtu keqardhjen për politizimin e pajustifikueshëm të ngjarjes në shtetin fqinj.

Rrethanat në të cilat humbi jetën shtetasi Kacifa, janë bërë të ditura zyrtarisht nga autoritetet kompetente shqiptare. Policia e shtetit ka sqaruar me detaje se kjo është një ngjarje totalisht e izoluar nga aktivitetet e sotme ne zonë dhe një rast flagrant agresioni ekstremist ndaj Policisë së Shtetit Shqiptar. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh zhgënjim për reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila jo vetëm nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit, po flet për “humbje jete të papranueshme”. Duke bërë thirrje për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të këtij rasti sa të qartë dhe të paprecedentë, i sigurojmë fqinjët tanë se Shqipëria është vend i sigurtë e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke.