19:51 / E Hënë, 06 Korrik 2020 / indeksADMonline

Ministrja Haradinaj-Stublla bisedoi me Ambasadorin e Austrisë, çështja e vizave vazhdon të mbetet temë e ndjeshme për qytetarët e Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla, të hënën zhvilloi një videokonferencë me Ambasadorin e Austrisë në Kosovë, z, Christofer Weidinger.

Kryediplomatja Haradinaj – Stublla tha se çështja e vizave vazhdon të mbetet temë e ndjeshme për qytetarët e Kosovës, dhe se lëvizja e tyre e lirë është e merituar dhe çdo kusht është i plotësuar.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të trajtohen në të njëjtën paralele me qytetarët tjerë të Evropës. Kërkova që zëri i Austrisë të vazhdojë të jetë fuqishëm pro liberalizimit të vizave për vendin tonë”, tha Ministrja Haradinaj-Stublla.

Gjatë kësaj bisede, Ministrja Haradinaj-Stublla e njoftoi Ambasadorin Weidinger edhe me planin e MPJD-së dhe sfidat që e presin ministrinë të cilën e drejton.

“Po ashtu, e falënderova për mbështetjen e Austrisë në menaxhimin e pandemisë – COVID-19, me donacionet e ofruara nga shteti austriak, si dhe kërkova mbështetjen e mëtejme në këtë situatë të vështirësuar globale”.