16:01 / E Enjte, 29 Tetor 2020 / OSH

Ministrja Haradinaj-Stublla sjell lajme të mira nga Hungaria, 75 studentë me bursa dhe thellim të raporteve shtetërore

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla po zhvillon vizitë zyrtare në Hungari.

Në paraditën e sotme, kryediplomatja ka takuar Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Republikës së Hungarisë, Péter Szijjártó.

Lajm i mirë është shtimi i numrit të bursave të ofruara nga Hungaria për studentët kosovarë nga 50 në 75 për tri nivele të studimeve.

“Pata nderin të zhvilloj një takim gjithëpërfshirës bilateral me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Republikës së Hungarisë, Z. Péter Szijjártó, gjatë vizitës zyrtare në Budapest.
Nënshkruam dy marrëveshje bilaterale: Mbrojtjen dhe Promovimin e Investimeve, dhe Programin e Koordinimit për Shkencën dhe Edukimin. Poashtu pata nderin të nënshkruaj Memorandumin e Mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e Edukimit e Shkencës për ofrimin e skemës së bursave ‘Stipendium Hungaricum’ – duke ngritur kështu numrin e bursave të ofruara nga Hungaria për studentët kosovarë nga 50 në 75 për tri nivele të studimeve.
E shoqëruar poashtu nga deputetja dhe Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme znj.Time Kadrijaj dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës z.Ramë Likaj, bashkërisht i shprehëm homologut Hungarez mirënjohjen ndaj Hungarisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, subjektivitetit të saj ndërkombëtar, dhe aspiratën tonë Euro-Atlantike. Ministri Szijjártó shprehu mbështetjen e plotë dhe të parezervë për të drejtën e vonuar të Kosovës për liberalizim vizash, duke ftuar edhe shtetet e BE-së për veprim strategjik dhe vendimmarrje finale gjatë sidomos tani gjatë Presidencës Gjermane” ka thënë Haradinaj-Stublla në njoftim.

Kryediplomatja ka takuar edhe Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Hungarez, Zsolt Németh.
“Gjatë vizitës zyrtare në Hungari takuam edhe Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Hungarez, Z. Zsolt Németh.
Shkëmbyem pikëpamjet tona rreth bashkëpunimit bilateral Kosovë – Hungari, duke vënë theksin edhe në zhvillimet politike në rajon, specifikisht temën e dialogut me Serbinë.

Shpreha vendosmërinë tonë për të arritur marrëveshje përfundimtare të njohjes reciproke në kufijtë ekzistues me Serbinë, vetëm duke respektuar tri parimet e panegociueshme: integritetin territorial, rendin kushtetues, dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës.
Bashkarisht u pajtuam të vazhdojmë punën e përbashkët ndër-shtetërore për thellimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Hungarisë, veçanërisht përmes formalizimit të Grupit të Përbashkët Parlamentar të Miqësisë Kosovë-Hungari” shkruan në njoftim Haradinaj-Stublla./Indeksonline/