12:18 / E Premte, 06 Korrik 2018 / indeksADMonline

Ministrja Hoxha kërkon mbështetjen e Bundestagut gjerman për liberalizimin e vizave

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, gjatë vizitës në Berlin, u prit nga Kryetari i Komisionit të Bundestagut gjerman për çështjet e Bashkimit Evropian, Gunther Krichbaum dhe diskutoi për nevojën e mbështetjes së mëtejme nga Gjermania për çështjet integruese, në veçanti liberalizimin e vizave.

Ministrja Hoxha theksoi se liberalizimi i vizave ndikon fuqishëm në realizimin e prioriteteve institucionale të Republikës së Kosovës, këmbimin e përvojave të rinisë tonë, komunikimin dhe aftësimin duke ngritur konkurrueshmërinë e kompanive vendore por edhe të perspektivës së gjithanshme me ndikim në zbatimin e MSA-së dhe reformat e parapara me rekomandimet e Brukselit.

“Përkrahja e Kosovës nga Gjermania, në veçanti nga Komisionet e Bundestagut dhe rekomandimet pozitive në Parlamentin Evropian kanë rëndësi të veçantë për proceset që po kalon vendi ynë.Unë e sigurova Z. Kirchbaum se nuk do të lejojmë që lëvizja e lirë të dëmtohet nga askush, ngase legjislacioni dhe institucionet për respektimin e tyre, kanë kompetencën e duhur për këtë çështje”, theksoi Ministrja Hoxha.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, po ashtu pati takim në Ministrinë federale për Bashkëpunim, me znj. Heike Backofen-Warnecke, Zëvendës shefe e Divizionit për Evropën Juglindore, Lindore dhe Kaukazi i Jugut, me të cilën diskutoi për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit.

Ministrja Hoxha theksoi të arriturat dhe sfidat e procesit integrues, në veçanti përkrahja për zhvillim që i vije Republikës së Kosovës nga Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë, realizimin e MSA-së dhe Reformën Evropiane të Reformave.

“Bashkëpunimi dhe përkrahja që i vije Kosovës nga Gjermania është shumë e mirëseardhur dhe kemi një përvojë të mirë, në funksion të prioriteteve të Kosovës drejt integrimit në BE. Prioritet tona, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, të drejtat e njeriut, arsimi, administrata publike si dhe energjia, gjejnë hapësirë të mjaftueshme në këtë bashkëpunim”, theksoi Ministrja Hoxha.

Znj. Heike Backofen-Warnecke, vlerësoi të arriturat e Kosovës në procesin integrues, duke vënë në pah, gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit ndërministror dhe ndërqeveritar. Ajo theksoi edhe rëndësinë e protokollit të konsultimeve të Bashkëpunimit për Zhvillim ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, të nënshkruar kohë më parë dhe i cili pritet të zbatohet në pjesën e dytë të këtij viti.