Dhurata Hoxha reagon ndaj artikullit në të cilin kërkohet dorëheqja e saj
Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha ka reaguar ndaj një artikulli në media në të cilin kërkohet dorëheqja e saj.
Në reagimin zyrtar nga Ministria e Integrimeve, thuhet se artikulli nuk është objektiv dhe i njëanshëm.
“Artikulli në fjalë, nuk është gjithëpërfshirës dhe objektiv, andaj, e vlerësojmë të njëanshëm, duke fokusuar dhe përcjell mesazhin e ish zyrtarit përgjegjës për procese, si vlerësime të mirëqena.
Sipas Kosovapressit, Demush Shasha “konsideron se llogaridhënia duhet të jetë si vlerë dhe parim”. Pikërisht me largimin e tij nga posti i sekretarit shtetëror, është pasojë e llogaridhënies dhe zbatimit të parimit të vlerësimit të performancës që kishte munguar me vite.
Çështja e liberalizimit të vizave është çështje madhore dhe me interes për secilin qytetar të Republikës së Kosovës. Ministria e Integrimit Evropian, në kontinuitet, në vitin e fundit, ka përcjell me dinamizim dhe intensitet, këtë proces, duke informuar dhe duke reflektuar me të arriturat dhe sfidat e këtij procesi.
Ministria e Integrimit Evropian, me përkrahje të pakursyer të Qeverisë, ka bërë punën e vet, në pajtim me kompetencat, duke ngritur performancën e këtij procesi, në nivelin që kurrë më parë nuk e kishte, duke respektuar transparencën e këtij procesi.
Nuk ka asnjë dilemë se Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha 95 kushtet për liberalizim. Këtë e konfirmojnë instancat më të larta të Komisionit dhe Parlamentit Evropian. Puna dhe angazhimi i Republikës së Kosovës ishte plotësisht pozitiv në këtë proces.
Duke qenë çështje e Këshillit të Ministrave, dhe bindjeve të shteteve veç e veç, çështja nuk ka hyrë në rendin e ditës së këtij këshilli. Jo për mosplotësimin e kushteve nga udhërrëfyesi por për shkaqet e njohura për vendet që përbëjnë Këshillin e Ministrave.
Reflektimet negative, në mediat vendore, nga ish përgjegjësi shumëvjeçar të Ministrisë së Integrimit, ish sekretarit Demush Shasha, rreth përgjegjësisë në këtë proces janë qesharake. Pikërisht mungesa e performancës në procesin integrues, zhvillimin e politikave adekuate dhe mungesa e rezultateve, kanë bërë që ish sekretari të largohet, pas gati 8 vitesh, në gjysmën e dytë të këtij viti.
Ministria e Integrimit Evropian, e ka trajtuar liberalizimin me prioritet, me komunikim dhe transparencë proporcionale me çështjen. Kjo, sigurisht ish zyrtarit nuk i pëlqen, për shumë arsye, andaj, deklaratat e tij, janë konform dijeve të tij sipërfaqësore, poza dhe mesazhe tipike për zyrtarët e shkarkuar. Andaj, i konsiderojmë të pavlerë.
Ministria e Integrimit Evropian, mbetet e përkushtuar për proceset, konform përgjegjësive, duke zbatuar agjendën dhe konsensusin nacional të procesit integrues. Në këtë drejtim, puna dhe mos puna, do të bëhen transparente, pavarësisht se këto situata keqpërdoren për promovim absurd të individëve, paradoksalisht, edhe ish përgjegjës të proceseve” thuhet në reagim.