75 Mall Live Search
11:28 / E Enjte, 26 Shtator 2024 / FR

Mira Murati largohet nga OpenAI: Asnjëherë s’është momenti i duhur që të largohesh nga vendi që e vlerëson, por ndiej se…

Shefja për teknologji e kompanisë OpenAI, Mira Murati, ka njoftuar se po largohet nga kjo kompani pas gjashtë vjet e gjysmë.

Murati kishte shërbyer si shefe ekzekutive e kompanisë vitin e kaluar në kohën kur kishte pasur një puç të dështuar kundër themeluesit të firmës, Sam Altman.

Përmes një njoftimi, që ajo ua ka dërguar punonjësve, të cilën e ka shpërndarë edhe në X, Murati tha se “kam marrë vendimin që të largohem nga OpenAI”.

Largimi i Muratit vjen pasi një sërë zyrtarë të lartë të kompanisë së inteligjencës artificiale, që mbështetet nga Microsoft, janë larguar gjatë këtij viti, përfshirë edhe themeluesit Ilya Sutskever dhe John Schulman.

OpenAI, kompania që ka në pronësi ChatGPT, është një prej kompanive që ka përjetuar më së shumti rritje në botë.

“Asnjëherë nuk është momenti i duhur që të largohesh nga vendi që e vlerëson, por sërish, ndiej se ky është vendimi i duhur”, tha Murati, inxhinierja 35-vjeçare nga Vlora e Shqipërisë.

“Lansimi i modeleve tona për të folurit të Open AI o1, shënojnë fillimin e një epoke të re të ndërveprimit dhe inteligjencës – arritje të mundësuara nga zgjuarsia dhe mjeshtëria juaj”, tha Murati në njoftimin dërguar punonjësve të OpenAI.

Murati tha se po largohet nga kompania sepse dëshiron të krijojë “kohë dhe hapësirë për të eksploruar”. Ajo shtoi se fokusi i saj kryesor do të jetë që në kompani të ketë një “tranzicion” të lehtë pas vendimit për t’u larguar nga kompania.

Shefi ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, përmes një postimi në X e falënderoi Mira Muratin “për gjithçka”.

Ai tha se Mira Murati ishte një person shumë i rëndësishëm për OpenAI, “për misionin tonë dhe për ne të gjithë personalisht”.

“Jam jashtëzakonisht mirënjohës ndaj saj, për ndihmën që nga ka ofruar që të ndërtojmë dhe arrijmë, por mbi të gjitha ndiej mirënjohje personale ndaj saj për mbështetjen dhe dashurinë në kohë të vështira. Mezi pres të shoh se çfarë do të bëjë ajo tani”, tha ai.

Rritja e OpenAi është përshpejtuar që kur më 2022 lansoi aplikacionin ChatGPT. Aktualisht, besohet se vlera e kompanisë është më shumë se 150 miliardë dollarë./ REL