16:44 / E Martë, 09 Tetor 2018 / indeksADMonline

Miratohet ndryshimi i kodit që lejon gjykimin në mungesë për krime lufte

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka miratuar me 7 vota pro dhe 2 abstenime projektligjin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për plotësim- ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, duke krijuar kështu mundësinë që personat që kanë kryer krime gjatë luftës të gjykohen në mungesë.

Kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu duke e konsideruar si një iniciativë të vonuar, tha se ky ndryshim-plotësim i Kodit të Procedurës Penale lejon gjykimin në mungesë.Shqetësuese Haxhiu e ka konsideruar faktin se në Prokurorinë Speciale vetëm një prokuror merret me krime lufte, duke e shtuar nevojën që të ketë një projektligj tjetër që dokumenton të gjitha krimet e luftës.

Futjen e gjykimit në mungesë për të pandehurit  në këtë projektligj, e ka konsideruar si shumë të nevojshëm edhe anëtari tjetër i komisionit për legjislacion Korab Sejdiu. Shkumbin Demaliaj, anëtar i komisioni nga radhët e AAK-së, është shprehur kundër formimit të një Gjykatë Speciale për Kosovën, ndërsa tha se të dyshuarit serbë për krime lufte duhet të dënohen në mungesë nga gjykatat.

Ndryshe, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka kërkuar nga institucionet që kandidatët për anëtarë të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas t’i përmbushin kriteret e kërkuara për këtë pozitë.