13:28 / E Mërkurë, 08 Dhjetor 2021 / OSH

Miratohet në lexim të dytë Projektligji për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike

Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike.

Projektligji i miratuar ka për qëllim rregullimin e:Mënyrës se identifikimit dhe skemave te identifikimit elektronik;Kushteve e përdorimit të nënshkrimit elektronik;Vulës elektronike, vulës elektronike kohore dhe të pajisjeve për krijimin e tyre;Shërbimeve të transmetimit që ju rekomandohen transaksioneve ligjore, procedurave gjyqësore dhe procedurave të tjera; Kushteve të lëshimit dhe përdorimit të certifikatave të kualifikuara për certifikimin e shërbimeve dhe autentifikimin e faqes së internetit, shërbimeve te besuara në transaksionet elektronike dhe dokumentet elektronike.

Me këtë Projektligj synohet që të ndërtohet besimi i publikut në sigurinë e transaksioneve dixhitale dhe inkurajimi i qytetarëve dhe bizneseve që sa më tepër t’i përdorin nënshkrimet elektronike, duke demonstruar përparësinë e tyre për individët dhe bizneset, duke mundësuar zhvillim më të hovshëm të tregtisë elektronike (e-commerce), si dhe të shërbimeve të tjera të Qeverisjes elektronike (e-Government), Biznesit elektronik (e-Business), etj.Ky ligj zbatohet për skemat e identifikimit elektronik dhe për ofruesit e shërbimeve të besuara në transaksionet elektronike.Ligji është në përputhshmëri me Rregulloren e BE-së mbi identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara për transaksionet elektronike në tregun e brendshëm (eIDAS Regulation).

Ministria e Ekonomisë, bazuar në kompetencat ligjore, do te miratojë aktet nënligjore, ndër të tjera edhe për skemat e identifikimit elektronik për nivele të caktuara të sigurisë, specifikimet teknike, standardet procedurat mbështetëse dhe kontrollet teknike.

Më 22 korrik 2021 Kuvendi i Republikës së Kosovës e kishte miratuar në lexim të parë Projektligjin për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike.