18:15 / E Martë, 23 Prill 2024 / k.v

Mishetiq- dëshmitarit Qeriqi: A e kuptoni se këtu jeni person i dyshuar?

Gjatë kundërpyetjeve, avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq i tha dëshmitarit Ramiz Qeriqi se është i dyshuar për krime lufte.

“Dëshmitar a e kuptoni që këtu jeni person i dyshuar?”, pyeti Mishetiq dëshmitarin pasi për pak minuta seanca gjyqësore ishte në sesion privat për të diskutuar lidhur me akuzat që bien mbi dëshmitarin.

“Dëshmitar se s’jam i dyshuar”, tha dëshmitari. Ndërsa, Mishetiq kërkoi të informohet nga dëshmitari nëse ZPS-ja ia kishte thënë shprehimisht që nuk ishte i dyshuar.

Dëshmitari tha se është dëshmitar në këtë rast gjyqësor dhe se nuk e ndjenë vetën si të dyshuar prandaj nuk ka kërkuar as avokat.

“Unë e kam kuptu që jam dëshmitar dhe jo i dyshuar sepse edhe e nij vetën ashtu. As nuk kam  marrë as avokat…Avokat s’kam deshtë me marrë… E kam ni vetën që jam i pafajshëm dhe prandaj nuk kam marrë avokat. Nuk jam t’u kuptu se çka je tu kërku ju si avokat mbrojtës. Edhe ata janë pjesëtar të UÇK-së që po i mbron e edhe unë e çfarë po kërkoni nuk po iu kuptojë unë”, tha dëshmitari.

Pastaj, Mishetiq tha se ngjarjet që i përshkroi sipas dëshmitarëve kanë ndodhur në qershor dhe korrik 1998 dhe sipas deklaratës së dëshmitarit, ai nuk ka qenë nën urdhrat e Fatmir Limajt dhe se në atë kohë, autoriteti më i lartë i bie që ka qenë vetë Ramiz Qeriqi.

“Avokat në këtë kohë kur ju thoni, unë e kam cek që vetëm kur ka pas luftime nuk e kam gjetë Shukrinë se në këtë kohë edhe i kam raportu edhe ka qenë. Plus, Fatmir Limes i kam raportu edh etjetra, në terrenin tem aty kam vepru unë as nuk ka pas burg dhe ma vonë është vërtetu se ka pas burgje aty ku kanë qenë dhe jo në zonën ku kam qenë unë. Unë nuk e di se cka e ke atë inati me mua, pse e bënë atë luftë? Vetëm pse e them një të vërtet për UÇK-në, kjo po të brengos?”, tha dëshmitari, duke u përgjigjur në kundërpyetjet e Mishetiq.

Ndërsa, Mishetiq tha se është në interesin e një personi të dyshuar që të shpikë gjëra në mënyrë që të shmangë çdo akuzë që mund të bie mbi të.

“Ju e kuptoni që një person në cilësinë e të dyshuarit është në interes të tij që të krijoj apo të shpikë një organizatë të UÇK-së që iu anashkalonte juve. Ju thatë që nuk kishit të bënit me Policinë ushtarake, se kjo iu ndihmon juve, është në mbrojtjen tuaj për të shmangur çdo akuzë që mund të bie kundër jush. Ju shërben kjo juve”, tha Mishetiq.

Ndërsa, dëshmitari tha se ka prova materiale që policia ushtarake ka qenë në vete dhe nuk ka qenë nën urdhrat e tij.

“Ka prova materiale, ka dëshmi që policia ushtarake ka qenë në vete, edhe prokuroria i ka lexu po edhe unë kam dëshmi me shkrim që policia ushtarake ka qenë në vete dhe nuk me ka pyet mua. Unë e kisha lut prokurorinë, e kam një dokument aty kur kam kërku nga policia ushtarake që të bashkëpunojë me mua. Për shembull, është rasti i një bashkëfshatari i një Nezir Olluri kur policia ushtarake ia merr pasaportën dhe i thotë se kur t’i bijsh 2000 marka e merr pasaportën. Atëherë, unë me shkrim kam kërku në brigadë që, ju lutem të bashkëpunoni me mua dhe të me pyetni për njerëz që të mos ndodhë rasti si  me Nezir Ollurin që ia keni marrë pasaportën dhe i kenilyp pare. Është një dëshmi që policia ushtarake nuk ka bashkëpunu me mua. I ka pas ato t’vetat”, tha dëshmitari, mirëpo prezantimi i këtij dokumenti nuk është lejuar nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Gjerat që po i thoshte dëshmitari sipas Luka Mishetiq po bëheshin që të krijohej përshtypja që ai nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe se çdo gjë ishte përgjegjësi e atyre që ishin më të lartë në pozita.

“Unë po iu them këtë që dëshmia që keni dhënë ju është se  nuk keni qenë në gjendje të kontrolloni policinë ushtarake në batalionin tuaj për faktin se thoni që Fatmir Limaj emëroi komandantët e togave duke iu anashkaluar juve dhe se ata i raportonin drejtpërdrejtë Fatmir Limajt. Të gjitha këto, janë dëshmi që ju p i thënë për të krijuar përshypjen që ju nuk keni bërë asgjë të gabuar dhe se ishte përgjegjësi e atyre që ishin mbi ju, a keni përgjigje për këtë?”, tha Mishetiq.

Por, një gjë të tillë dëshmitari e mohoi kategorikisht gjatë gjithë dëshmisë së tij.

“Nuk është e vërtet. Unë e kam thënë një të vërtetë qysh ka qenë origjinal dhe tash kur jam betu këtu, jam nën betim, jam betu që mos me rrejtë. Gjithçka çka kam fol këtu është e vërtetë. Jam betu edhe para shokve të mij të luftës që unë do ta them të vërtetën këtu dhe jo vetëm para këtij gjyqi dhe ju çfarë po thoni nuk është ashtu”, tha ai.

Më pas, Mishetiq i kujtoi dëshmitarit se në rastin e Fatmir Limajt, trupi gjykues e kishte cilësuar atë si dëshmitar jo të besueshëm ose me besueshmëri të ulët.

“Unë jam njëri ndër dëshmitarët që kam fol mas drejti dhe më saktë asgjë nuk kam mshefë. Këtë e ki gabim, me vjen keq dhe këtë ju jeni ka e thoni, po me vjen keq me e thanë se cka jeni ka bëni”, tha dëshmitari Ramiz Qeriqi në përgjigje ndaj Mishetiqit.

Përpara kësaj, i pyetur se çfarë formacionesh kanë qenë brenda batalionit, dëshmitari tha se ishte batalioni, kompania, togu dhe skuadra.

Pas kësaj, dëshmitarit iu prezantua një dokument që sipas avokatit Luka Mishetiq e mbante titullin “Rregullore e përkohshme për organizimin e jetës së brendshme të ushtrisë” dhe për këtë Ramiz Qeriqi tha se kjo rregullore ka pasur mundësi që të ndryshojë më vonë.

“Vetë fjala tregon e përkohshme. Ka mujtë më ndryshu më vonë. Për një kohë të caktume sigurisht, ma merr menja”, tha dëshmitari duke pohuar se nuk ka pasur dijeni se si kanë funksionuar zonat e tjera.

Ai tha se Fatmir Limaj ka qenë komandant brigadë deri në fund të 1998 për t’u zëvendësuar më pas me Haxhi Shalën.

“Në fund të 98-ës emërohet Haxhi Shala dhe Fatmiri ka shku ma larg, ku e di unë çka është vendos. Kah fundi i 98 ka qenë Haxhi Shala dhe jo Fatmir Limaj”, tha Ramiz Qeriqi.

Qeriqit iu prezantua edhe një dokument në të cilin thuhej se Fatmir Limaj ishte bërë drejtor i Policisë ushtarake. Pastaj, Mishetiq i tha dëshmitarit se ai për ZPS-në ka thanë se e ka bërë vetë përzgjedhjen e anëtarëve të policisë ushtarake në batalionin e tij.

“Unë e kam ba përzgjedhjen. Unë i kam qu emrat atje dhe i kanë pranu. Kanë mujt mos me pranu dhe me thanë që nuk ban, por prap ata kanë përzgjedh”, tha dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Mishetiq.

Dëshmitari Qeriqi tha se sigurisht që janë mbajtur takime për të diskutuar lidhur me punën e policisë ushtarake, por që nuk ka pasur vetë ai që të bëjë me ata.

“Kanë mbajtë takime sigurisht dhe pse unë s’kam nevojë me i diskutu. S’janë për mua ato. Ata kanë qenë në vete”, tha ai duke pohuar se i ka përzgjedhur por nuk e kishte më idenë se çfarë bënte ai.

I pyetur se si e kanë bërë përzgjedhjen e këtyre anëtarëve, dëshmitari tha duke i selektuar djemtë më të mirë dhe me të sjellshëm.

“Kemi mëndu që janë djem ma të mirë, ma të sjellshëm… vetëm i kemi propozu dhe asgjë tjetër. S’jemi marrë me atë punë… domethënë ia kam propozu personat. Ata janë marrë pastaj me ato punë e jo na”, tha ai.

Në fund të seancës, kundërpyetjet për dëshmitarin i filloi mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes avokatit Aiden Ellis i cili u fokusua tek uniformat e UÇK-se dhe mënyrën se si siguroheshin ato.

Aiden tha se kundërpyetjet e tij ndaj dëshmitarit pritet të vazhdojnë edhe gjatë paradites në seancën e nesërme.

Qeriqi: Zinxhiri komandues nga batalioni në brigadë ka qenë i organizuar

(Përditësuar, ora 14:40)-Dëshmitari Ramiz Qeriqi tha se gjatë kohës kur ka qenë pjesëtar i UÇK-së, zinxhiri komandues nga batalioni në brigadë ka qenë i organizuar.

Ndërsa, nga brigada e me lartë nuk ka njohuri se si kanë funksionuar gjerat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nga batalioni tek brigada. Ma andej, nuk kam njohuri e s’kam të drejtën me e thënë. Unë për çdo ditë i kam raportu brigadës për punën që janë ba. Një herë në javë kam shku në mbledhje të brigadës”, tha Qeriqi.

Ai po ashtu tha se njëherë në javë ka shkuar në Kleckë në mbledhjet e brigadës ku ka raportuar tek Fatmir Limajt. Po ashtu, ai shtoi se për këtë kishte urdhër ndërsa, në kohën kur nuk kishte urdhër nga brigada, ai i raportonte Shukri Bujës e më pas ky i fundit Limajt.

Dëshmitari pohoi se në batalionin e tij është marrë me çështje operative ndërsa me disiplinimin e ushtarëve është marrë policia ushtarake brenda batalionit.

Dëshmitari Qeriqi thotë se me Thaçin është takuar tri herë gjatë luftës, por nuk e dinte pozitën e tij

(Përditësuar, ora 14:35)-Dëshmitari Ramiz Qeriqi është duke u marrë në pyetje nga mbrojtja e Hashim Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq. Ai tha se gjatë kohës së luftës, është takuar me Thaçin vetëm tri herë.

Një prej herëve që dëshmitari pretendon se është takuar me Thaçin, sipas tij ka ndodhur në selinë e UÇK-së në Krumë. Ai thotë se Thaçi nuk ishte paraqitur me ndonjë pozitë atë kohë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Jo me njëfarë pozite. S’kam ditë që ka pozite. Isha duke u përgatitë për me hy brenda me Azem Sylen dhe aty jemi taku bashkë, e kuptuam që ishte Hashim Thaçi. S’di si ta shpjegojë, jo njëfarë i veçantë, nuk ka qenë. I thjeshtë sikur na ushtarët e tjerë”, tha ai.

Dëshmitari thotë se një herë tjetër ishte takuar me Thaçin në Krojmir pa praninë e Shukri Bujës dhe Fatmir Limës. Ai pohoi se në atë kohë ka besuar që personi kryesor i UÇK-së ka qenë Azem Syla

“Ashtu u ndegju”, u përgjigj dëshmitari.

Ramiz Qeriqi tha se hera tjetër që nuk dinë nëse kishte ndodhur para ose pas takimit në Krojmir me Thaçin ka ndodhur në kur kanë dhënë intervistë për gazetarët e “New York Times”.

“Kemi dhënë intervistë bashkë në odën time, aty ku e kom pas komandën e batalionit”, tha ai.

Dëshmitari i qëndroi mbrapa se nuk e dinte pozitën e Thaçit në atë kohë por që e dinte se ishte me i lartë në pozitë se vetë ai.

“Te them sinqertën, nuk e kam ditë pozitën e Hashimit në atë kohë. Po e kam ditë që është më i madh se unë”, tha dëshmitari.

I pyetur nëse e ka parë Thaçin në Divjak, dëshmitari tha se nuk është duke iu kujtuar një gjë e tillë.

“S’me kujtohet. Mund ndodhë ta kem parë, por nuk me kujtohet. Unë nuk kam qenë atëherë në Divjak shpesh. Kam qenë veç për leje, kur e kam marrë lejen me shku”, tha ndër tjerash dëshmitari Ramiz Qeriqi.