Mitrovica urdhëron të hiqen nga tregu mallrat që nuk i referohen Kosovës si shtet
Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ka hasur në disa mallra që importohen në Kosovë me mbishkrimin “Kosovë/o dhe Metohi”, “Kosovë/o UNMIK” apo “Kosovo/a Rezoluta 1244”.
Përmes një komunikate për media, ata thonë se janë urdhëruar që nga tregu të largohen të gjitha produktet që kanë këtë emërtim, pas vendimit të marr nga ministri Endri Shala, për të mos u lejuar shitja e produkteve që nuk kanë mbishkrimin “RKS”.
Ky është njoftimi i tyre:
Duke marr parasysh faktin se ditë më parë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka marrë vendim që t’i ndalojë të gjitha produktet në treg që nuk i referohen Kosovës si shtet, inspektorët komunal të komunës së Mitrovicës, kanë dal të martën në terren për ti parë nga afër se a janë larguar të gjitha produktet që mbajnë këtë përmbajtje a jo.
Në fjalën e tij drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Hysni Ahmeti, theksoj se kanë hasur në disa mallra që importohen në Kosovë me mbishkrimin “Kosovë/o dhe Metohi”, “Kosovë/o UNMIK” apo “Kosovo/a Rezoluta 1244”.
”Ne sot kemi dalë në terren për të parë nga afër se a janë larguar produktet të cilat kanë këtë mbishkrimi. Kështu kemi vepruar sipas Urdhëresës së lëshuar nga Ministri Shala, i cili ka urdhëruar që inspektorët të kërkojnë nga operatorët ekonomik që menjëherë t’i largojnë nga tregu produktet me etiketim “Kosovë/o dhe Metohi”, “Kosovë/o UNMIK” apo “Kosovo/a Rezoluta 1244”, apo çdo emërtim tjetër i cili është në kundërshtim me emërtimin zyrtar të Republikës së Kosovës”, tha drejtori Ahmeti.
Po ashtu drejtori i Inspekcionit , Hysni Ahmeti, bëri të ditur se duhet të zbatohet neni 15 i Ligjit Nr.06/L-034 për mbrojtjen e Konsumatorit, i cili obligon inspektorët që të ndalojnë dhe të sanksionojnë shitjen, shërbimin dhe dhurimin e duhanit dhe pijeve alkoolike personave nën moshën tetëmbëdhjetë vjeçare.
Drejtori Ahmeti njoftoi se inspektorët komunal kanë konstatuar se disa markete që punojnë në komunën e Mitrovicës, tashmë i kanë larguar produktet e këtilla nga hapësirat e tyre./Indeksonline/