20:48 / E Enjte, 31 Tetor 2019 / indeksADMonline

Mjekët kundërshtojnë Kurtin, kërkojnë të punojnë edhe në sektor privat

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëkohësisht kreu i saj, Albin Kurti, ka paralajmëruar që mjekët duhet të përcaktohen nëse duan të punojnë në institucionet publike shëndetësore apo ato private. Ndërkohë, mjekët këtë paralajmërim të Kurtit e konsiderojnë të paarsyeshëm dhe të padrejtë.

Kurti ditë më parë ka deklaruar se gjatë qeverisjes se tij, mjekët nuk do të kenë mundësi të punojnë në dy sektorë.

Por, një gjë e tillë po kundërshtohet ashpër nga Oda e Mjekëve të Kosovës.

Pleurat Sejdiu që udhëheqë këtë organ, thotë se një vendim i tillë do të ishte i pranueshëm, nëse do të vlente për të gjithë sektorët.

“Problemi është i shtruar në dy nivele, pse vetëm mjekët, pse jo edhe tjerat profesione. Pse një profesor ka të drejtë të bëj mësim edhe në privat edhe në publik, pse mjeku jo pse një ekonomist punon në institucione publike, pasdite është kontabilist i kompanisë së madhe, ose një jurist ne kompani private, ka qene një tentim’’, ka thënë Pleurat Sejdiu.

Sejdiu pranon se në mesin e mjekeve, ekzistojnë të atillë që i dërgojnë pacientët nga institucionet publike në ato private për përfitime personale.

“Ne nuk mund të themi se nuk ka në mesin tonë që manipulojnë me pacientin por unë besoj që filteri dhe përgjegjësi për një pacient është institucioni, pse ai po ikë nga një pritje disa ditëshe ose kolegët tonë që bëjnë lojëra, të cilët shtyjnë pacientin aty ku ka përfitim material, mirëpo për këtë duhet të ketë monitorim më të mirë’’

E deklarata e Kurtit duket se është pritur keq edhe nga Kryetari i Federatës Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.

‘’Kjo deklaratë e Kurtit me të vërtetë ka ngritur një shqetësim, sepse nuk janë pjekur kushtet të dilet me një deklaratë të tillë. Nuk është analizuar si duhet situata në komunitetin mjekësor dhe ajo çka është më e rëndësishmja nuk është analizuar Kushtetuesja”, ka thënë Syla.

Sipas Sylës, nëse një ide e tillë do të zbatohet në praktikë shumica dërmuese e mjekëve specialistë do ta braktisin sistemin publik.

Por, në krah Albin Kurtit i ka dal një ish ministër i shëndetësisë.

Ferid Agani, thotë se një ndarje e tillë ka qenë e nevojshme qysh në vitin 2013.

“Kjo ndarje ka qenë e nevojshme qysh atëherë. Ka qenë një metodë e mirë për të arritur dy qëllime, parandalimin e korrupsionit në institucionet publike shëndetësore, sepse punësimi i njëkohshme në të dy institucionet e ka edukua në mënyrë të dokumentuar dhe ka arritur këtë shkallë të korrupsionit”, ka thënë Agani.

Agani shtoi se pacientët në një mënyrë kanë qenë të keqpërdorur nga disa mjek të papërgjegjshëm. Ish ministri mendon se kjo gjë ka rrënuar besimin e qytetarëve në sistemin publik. /T7/