10:23 / E Martë, 15 Tetor 2019 / indeksADMonline

Mjeku i UÇK-së ftohet nga Gjykata Speciale

Ish –deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fadil Beka, është i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili ka thënë se mjeku Beka duhet të jetë krenar me veprimtarinë e tij gjatë dhe pas luftës.

Me të marrë këtë lajm, Gucati ka shkruar në Facebook, ku edhe ka njoftuar opinionin lidhur me këtë.

“Sapo mora lajmin që një ndër doktorët me të mirë që ishte në luftën e fundit në Kosovë dhe në radhët e UÇK-së, bashkëluftëtari im Fadil Beka është ftuar nga Gjykata Speciale, unë i them doktorit të ndihesh krenar me veprimtarinë tënde gjatë luftës, por edhe mbas luftës për kontributin tënd në shtet formimin e Kosovës, çdo herë do jemi përkrah dhe në mbrojtje të vlerave të luftës, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund ta njollos dhe ta gjykoj askush”, ka shkruar ai.

Ish-deputeti Fadil Beka, ndryshe njihet edhe si kirurgu i UÇK-së, për veprimtarinë e tij të madhe gjatë kohës së luftës, ku në kushte të vështira bënte operimin e të të plagosurve.