21:12 / E Premte, 14 Korrik 2023 / MSH

MKRS për Shtëpinë e Kulturës në Runik: Ndërhyrjet e Komunës së Skenderajt, pa pëlqim të institucioneve dhe të kundërligjshme

Shtëpia e Kulturës në Runik është aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje, si dëshmi e historisë kulturore dhe rëndësisë së saj për banorët e Runikut dhe fshatrat rreth tij.

Ndërhyrjet degraduese nga ana e Komunës së Skenderajt janë bërë pa pëlqimin e institucioneve të MKRS-së dhe në kundërshtim me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

Institucionet përgjegjëse të Ministrisë menjëherë kanë dalë në vend të ngjarjes për të bërë vlerësimin fillestar të gjendjes, ndërsa Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndërmarrë hapat ligjorë për ndalim të punimeve të paligjshme nga ana e autoriteteve komunale.

Ky monument ngërthen kujtimet e komunitetit për ngjarjet e pasura kulturore të organizuara në bibliotekën, kinemanë dhe sallën koncertale, si pjesë e rëndësishme e kujtesës kolektive.  

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kuadër të programit vjetor ka paraparë buxhet për renovimin e Shtëpisë së Kulturës, në mënyrë që ky monument të rijetësohet dhe të vihet në shfrytëzim për komunitetin e Runikut dhe më gjerë.

Prandaj, i apelojmë komunës së Skenderajt që të ndërpresë veprimet e paligjshme, dhe njëkohësisht rikujtojmë që mbrojtja e vlerave të përbashkëta të trashëgimisë kulturore është përgjegjësi e të gjitha institucioneve shtetërore, qendrore e lokale.